Arrestohen 6 nga 27 Sulmuesit e Policisë në Lazarat

Pas sulmeve të vazhdueshme nga ana e një grupi të armatosur në Lazarat ku si pasojë mbeti i plagosur edhe një banor i fshatit, policia arriti të arrestojë 6 nga 27 sulmuesit e këtij fshati.

Mediat në Shqipëri raportojnë se nën pranga kanë rënë  Matjas e Juxhin Bocia, Florian Shurdhi, Xhevahir Doci, Ali Basha dhe Emiliano Aliko. Këta ishin zënë duke provuar të hyjnë në fshat.

Të arrestuarit gjithashtu janë të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve të A1 Report.

Për të pastruar fshatin nga lëndët narkotike numri i forcave të sigurisë është shtuar në 900 nga 500 sa ishin ditën e djeshme. Në operacion janë përfshirë edhe forcat policore nga Tirana, Fieri, Gjirokastra, Shkodra dhe grupet speciale të prokurimit që komandohen nga Forcat Speciale Renea.

Artan Didi drejtor i përgjithshëm i Policisë takoi forcat që po operojnë atje, ndërsa u deklarua se operacioni do të vazhdojë. 

“Nuk do të ketë tërheqje të trupave të policisë deri në arrestimin e të gjithë grupit kriminal që vepron në Lazarat “, deklaroi Didi.

Vetëm ditën e djeshme janë  gjetur dhe asgjësuar 7 parcela dhe 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa që kishin lartësi prej 50 cm deri në 1 metër. Po ashtu janë asgjësuar edhe 1.000 kubikë fidanë të gatshëm për kultivim, raportojnë mediat në Shqipëri.

Operacioni për asgjësimin e këtyre lëndëve po vazhdon.

Shkrimi bazohet në raportimin e Top Chanel-it dhe Ora News-it.