Betejë e Shtetit Kundër Trafikantëve në Lazarat

Në Lazarat sipas medieve shqiptare forcat policore po përparojnë shtëpi më shtëpi për ta vënë nën kontroll fshatin e rebeluar ku janë identifikuar zona të mbjella rishtas me marijuhanë.

Në operacion po marrin pjesë forcat Renea, ato të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në përpjekje për asgjësimin e kanabisit dhe  kapjen e personave që qëlluan Policinë e Shtetit.

Situata në këtë fshat vazhdon të jetë e tensionuar që nga mbrëmja e djeshme, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mes forcave të rendit dhe grupit të armatosur u plagos në oborrin e shtëpisë së tij Shpëtim Meçi 45 vjeçar banor i Lazaratit.

Drejtoria e Policisë njofton se janë përdorur armë të rënda nga ana e banorëve duke përfshirë këtu edhe mitralozë, mortaja, predha antitank etj.

Sipas mediave në Shqipëri policia  ka identifikuar  vendin prej nga vinin sulmet, bëhet fjalë për banesën e Gate Mahmutajt person ky me të kaluar kriminale, i cili u lirua pasi fitoi faljen nga presidenti i vendit.

Kryetari i Komunës së Lazaratit Dashko Aliko tha se nuk dëshiron të lëndohet askush as nga forcat e policisë e as banorët. Sipas tij nuk janë grupe të caktuara të cilat po gjuajnë në drejtim të policisë,, por individë të caktuar.  

Nga ana tjetër kryeministri Rama tha se sistemi i drejtësisë është Lazarat i vërtetë.

” Siç është e domosdoshme që Lazarati i vogël të vendoset nën rendin ligjor, edhe ‘Lazarati i madh’ që mbjell pasiguri dhe terror në vend të kanabisit, duhet të shpartallohet dhe të largohet nga ky vend të cilit po i merr frymën”, theksoi kryeministri Rama.

Përveç sulmit ndaj Policisë në Lazarat u sulmua edhe një grup i gazetarëve të televizionit A1 Report të cilëve iu morën të gjitha pajisjet dhe ata u mbajtën peng për 15 minuta nga grupi i armatosur, por u ndihmuan nga disa banorë të fshatit për t’u larguar nga aty.

Policia publikoi listën e 27 personave që nga fshati po qëllojnë drejt saj.

Për ngjarjen në Lazarat u shkrua edhe nga “Washington Post”, ku ndër të tjera thuhet se banorët e këtij fshati e kanë parë veten përtej ligjit.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga Top Channel, gazeta Shqip mapo.al dhe Balkanweb.com.