Vazhdon Gjykimi Për Kthimin e Hises (TV)

Nebih Rrafshi me prejardhje nga Duhla e Suharekës dhe me banim në Pançevë të Serbisë pretendon se nipat e tij ia kanë marrë një parcelë toke prej 5 arësh, pa e pyetur, vetëm për faktin se ai nuk jeton në vendlindje.

Ai në vitin 2013 është kthyer për ta kërkuar pronën që mendon se i takon nga trashëgimia e babait.

Në pronën e pretenduar nga Nebih Rrafshi, nipi i tij Enveri ka ndërtuar shtëpi.

“Për mos me ja prish si vëlla shtëpinë, le të më paguan mua 40 mijë euro që ka hi për inati aty, se baci Bih është në Serbi e nuk guxon me dalë në Kosovë, pra  7 ditë ka afat me hjek materialin me qit në arë të vet”, tha Nebih Rrafshi në gjykatë.

Ai pranoi se 18 arë nga trashëgimia prindërore prej 23 arësh ia ka shitur të vëllait, por shtoi se pesë arë të tjerë i takojnë atij.

Në seancë foli edhe Enver Rrafshi, nipi i Nebihut. Ai tha se Nebihu e ka shitur tërë pronën, por pesë arë tokë ia kanë bartur në emër të tij, ngase i janë dashur për një kredi të cilën nuk ka mundur ta marrë pa pasur në pronësi pesë arë tokë.

Në gjykatore u paraqitën si dëshmitarë edhe disa nga njerëzit që kanë blerë tokë nga Nebih Rrafshi.

Me 15 gusht para gjykatës do të ballafaqohen prapë xhaxha e nip për tokën e prindit përkatësisht gjyshit.