Pengohet Vala 60 e Privatizimit

AKP-ja ka pezulluar Valën e 60-të të privatizimit, pasi një grup personash kanë ndërhyrë për të penguar procesin e hapjes së ofertave për shitje të kësaj vale.

Sipas institucionit që privatizon ndërmarrjet shoqërore, transformon, ose shet ato me likuidim, në këtë valë ishte paraparë privatizimi, transformimi, ose shitja e tillë e 65 aseteve.

“Përderisa pranimi i ofertave u shoqërua vetëm me dhunë verbale nga një grup banorësh të njohur për AKP-në, fatkeqësisht hapja e ofertave u ndalua dhunshëm nga të njëjtit me pretendime të paqëndrueshme dhe të pabazuara lidhur me një aset të vetëm”, thuhet në komunikatën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të lëshuar të martën.

Edhe policia konfirmoi incidentin.

“Disa persona, pronarë të tokave nga një fshat i Komunës së Malishevës kanë hyrë dhunshëm dhe kanë penguar procesin”  tha  Florie Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.

AKP-ja si arsyetim për pezullimin e hapjes së ofertave citon në komunikatë parandalimin e dëmtimit të procesit, mungesën e sigurisë për stafin e saj dhe ofertuesit e aseteve tjera. 

Por Florie Ahmeti nga policia thotë se nuk ka pasur rrahje mes penguesve të procesit dhe zyrtarëve të AKP-së. tha për Gazeten  Jeta në Kosovë se nuk ka pasur rrahje por ka pasur pengim të procesit.

“Kanë qenë rreth 100 persona që kanë penguar procesin,  pesë prej të cilëve janë duke u intervistuar nga policia”, shpjegoi Ahmeti.

Me valën e 60-të të privatizimit planifikohej edhe shitja e tokës në fshatin Bubavec të Malishevës.

Ahmeti tha se nga pesë të intervistuarit katër janë në cilësinë e të dyshuarve për pengim të procesit dhe njëri  në cilësinë e të dëmtuarit.

AKP-ja njofton në komunikatë se do t’ua kthejë ofertat e tyre secilit nga ofertuesit për 65 asetet, ndërsa për përsëritjen e shitjes do të njoftojë me kohë.