Albin Kurti Vendos Kushte për Koalicionin Opozitar

(E plotësuar)

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një konferencë për shtyp se partia e tij ka qenë pjesë e bisedimeve për të pamundësuar Hashim Thaçin në marrjen e mandatit të tretë si Kryeministër, por u shpreh se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar të cilin më herët e shpallën LDK, AAK dhe NISMA.

“Jemi marrë vesh që asnjëra nga partitë nuk do të shkojë me Thaçin”, tha Kurti.

“I kemi vendosur dy kritere: ndalja e bisedimeve (me Serbinë) dhe e privatizimit dhe për këtë duhet pasur marrëveshje të shkruar, përndryshe ne nuk do të kemi marrëveshje”, u shpreh ai.

15:02 

Opozita Bashkohet Për Një Qeveri pa PDK-në

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, pas një takimi të mbajtur në selinë e AAK-së konfirmoi marrëveshjen trepalëshe LDK- AAK- NISMA.

Agim Veliu u shpreh se këto tri parti kanë vendosur që “t’i japin vendit një qeveri të kthimit të shpresës”.

“Ne bashkë kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë për kryeministër të Kosovës. Presidenca në harmoni me Kushtetutën dhe kryetari i Kuvendit do t’i takojnë LDK-së ndërsa një zëvendëskryeministër do të jetë nga Nisma”, tha Veliu.

“Qeveria e kthimit të shpresës” do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punojë me ngulm për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe BE”, tha Agim Veliu.

Ai tha se në një fazë të mëvonshme do të bisedohet edhe për ndarjen e posteve ministrore.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, u shpreh se bisedimet janë duke u bërë edhe me “Vetëvendosjen” dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë.

“Jemi në bisedime edhe me partitë tjera, përfshirë edhe ‘Vetëvendosjen’ dhe me partitë e komuniteteve pakicë për të parë se si do të arrihet marrëveshja”, tha Gjini.

Kushtetuta i jep të drejtën partisë që ka dalë e para në zgjedhje, PDK-së, që ta ketë mandatarin për krijimin e qeverisë së re, ndërsa grupimi opozitar pritet të përfitojë nga pamundësia eventuale e Hashim Thaçit për ta bërë këtë.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, PDK-ja ka marrë mbi 30 për qind të votave dhe pritet të përfaqësohet në Kuvend me 36 deputetë, LDK-ja pritet t’i ketë 30 deputetë, “Vetëvendosje” 16, AAK 13 dhe Nisma 6 ose 7 deputetë.

Për ta formuar qeverinë, një partie apo koalicioni i duhen së paku 61 deputetë.

Shih marrëveshjen