DnV-ja Raporton për Përmirësime dhe Përsëritje të Mangësive në Zgjedhje

Rrjeti vendor i OJQ-ve vëzhguese “Demokracia në Veprim” konsideron se procesi i votimit dhe i numërimit të votave në Kosovë ka plotësuar standardet për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

“Është një standard që ka avancuar në krahasim me standardet e vitit 2013. Nëse mund ta quajmë, është një rikthim i zgjedhjeve të 2004-ës, kur Kosova është njohur si vendi i zgjedhjeve më të mira në rajon”, tha Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim”.

Kryeziu shtoi se një efekt tjetër pozitiv i këtyre zgjedhjeve, është pjesëmarrja e parë e serbëve të veriut në procesin zgjedhor të nivelit qendror që sipas tij ka qenë një pjesëmarrje e kënaqshme dhe më e lartë sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Por, sipas Kryeziut edhe pse pjesëmarrja e serbëve është e kënaqshme në krahasim me zgjedhjet lokale, ai tha se ka pasur një rënie të pjesëmarrjes së votuesve në nivel vendi në 42 për qind, nga 46 për qind që ka qenë në zgjedhjet e kaluara.

Sa i përket materialit propagandues të subjekteve politike, Kryeziu tha se së paku në 36 qendra të votimeve ka pasur material votues më afër se 100 metra.

Ai tha se në listën e votuesve një numër i konsiderueshëm i votuesve nuk kanë gjetur emrin.

“Së paku në 10 për qind të vendvotimeve qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e tyre dhe janë detyruar të votojnë me kusht”, tha ai.

Kryeziu tha se edhe në këto zgjedhje është përsëritur votimi familjar, gjë e cila sipas tij është vërejtur në 13.9 për qind të vendvotimeve. Ndërsa në 59 raste është vërejtur asistim nga një  person më shumë se dy herë.

Sa u përket ankesave, ai tha se janë 49 ankesa të cilat i kanë dorëzuar partitë politike dhe shoqëria civile në PZAP.

Nga ana tjetër, Afrim Maliqi nga “Handikos-i” prezantoi të gjeturat për qasshmërinë e personave më aftësi të kufizuar ne qendrat e votimeve.

“Qasshmëria apo vendndodhja e qendrës së votimit në 261 vendvotime, prej 467 vendvotimeve kanë dalë pjesërisht të qasshme, ndërsa 201 vendvotime ka dalë jo të qasshme”, tha Maliqi.

Kurse, Nenad Maksimoviq nga OJQ-ja “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” e cila është pjesë e “Demokracisë në Veprim” paraqiti të gjeturat nga monitorimi i fushatës në komunat me shumicë serbe.

Ai tha se zgjedhjet kanë shkuar mirë dhe pa probleme të mëdha, me përjashtim të disa paqartësive sa i përket dokumenteve serbe të identifikimit.

“Kemi pasur një paqartësi sidomos me dokumentet e shtetit serb, ku në komunën e Shtërpcës një numër i qytetarëve janë lejuar që të votojnë me ato dokumente, ndërsa një numër i caktuar nuk është lejuar”, tha Maksimoviq.

Petrit Zogaj nga Lëvzja “Fol”, e cila ishte pjesë e Demokracisë në veprim, paraqiti të dhënat lidhur me monitorimin e medieve gjatë fushatës elektorale.

Sipas tij nga katër televizionet si: RTK1, KTV, Klan Kosova dhe  RTV2 kanë transmetuar 414.29 minuta kronika zgjedhore.

Sa i përket mbulimit të aktiviteteve parazgjedhore nga kanalet televizive, Zogaj tha se PDK-ja prinë me 99.21 minuta ose 21%, LDK-ja me 78.34 minuta (18 %), AAK-ja me 61 minuta (14%), Nisma me 43.30 minuta (10%), ndërsa partitë tjera kanë marrë 13 % të kohës së përgjithshme që televizionet i kushtuan aktiviteteve parazgjedhore.