Ashton Kërkon Formim të Shpejtë të Qeverisë

Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas publikimit të raportit të Misionit Vëzhgues të BE-së, Ashton tha se këto zgjedhje janë një “hap përpara” në konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

“Ne urojmë votuesit për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme legjislative që u mbajtën më 8 qershor në Kosovë. Këto zgjedhje janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës”, tha Ashton.

Ajo ka falënderuar Kryevëzhguesin evropian Roberto Gualtieri dhe misionin e tij për punën dhe raportin e lëshuar sot në të cilin thuhet se zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt. 

Ashton ka falënderuar edhe OSBE-në për përkrahjen e dhënë në lehtësimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Tani presim me padurim krijimin sa më të shpejtë të qeverisë e cila do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së prillit 2013, e cila rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë”, tha Ashton.  

Sipas saj, Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim.