Albin Kurti Fton për Bllok Opozitar Paszgjedhor

Albin Kurti ka dalë para gazetarëve një ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me idenë që LDK-ja dhe AAK-ja të mos i bashkohen PDK-së në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Për Kurtin shumica e qytetarëve të Kosovës kanë votuar kundër Hashim Thaçit, partia e të cilit doli më e votuara në këto zgjedhje.

“Shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës nuk kanë votuar për Thaçin. Shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër Thaçit”, tha Kurti sot në një konferencë për media.

Prandaj, në rrethana të tilla, Kurti preferon që partitë tjera t’ia pamundësojnë Thaçit formimin e qeverisë.

“Jemi të interesuar dhe të gatshëm që ta pamundësojmë qeverinë e re të regjimit të vjetër. Për këtë qëllim do t’i fillojmë kontaktet për takime me partitë e tjera opozitare që të mos i bashkohen Thaçit në ripërtëritjen e keqqeverisjes. Ashtu qysh donim të rrëzohet qeveria, sot duam që të mos ripërtërihet ajo”, tha Kurti.

Deri më tani kur zyrtarisht janë numëruar 99.07 e fletëvotimeve të rregullta, PDK-ja del të jetë partia më e votuar me 212.438 vota apo 30.69 %. Pas saj vijnë LDK-ja me 177.906 vota apo 25.70 %, “Vetëvendosje” me 93.340 vota (13.48 %), AAK-ja me 66.433 vota (9.60 %) dhe NISMA për Kosovën me 36.258 vota (5.24 %). Jashtë legjislaturës së ardhshme të Kuvendit duket se do të mbesë AKR-ja e cila aktualisht ka 32.172 vota apo 4.65 %.

Sipas Kurtit, në rikonfirmimin e PDK-së si partia më e madhe në vend ka ndikuar shpërndarja e Kuvendit të Kosovës më 8 maj të këtij viti, proces që i hapi rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Asisoj iu dha ofensiva PDK-së e cila pas eliminimit të Kuvendit e përdori tërë aparatin e shtetit të kapur nga ajo kundër opozitës në një garë tejet të pabarabartë”, tha Albin Kurti.

Sido që të jetë, lideri i “Vetëvendosjes” falënderoi qytetarët për të cilët tha se janë “më demokratë sesa partitë dhe institucionet”. Ai u shpreh se votuesit e vlerësuan “Vetëvendosjen” si “opozitën më parimore dhe më serioze”.

“Ne si Vetëvendosje nuk jemi të kënaqur me rezultatin, por kurrë nuk kemi qenë më të fortë si organizim dhe kurrë nuk kemi pasur kaq shumë simpati nga qytetarët”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, fakti që PDK-ja ka dalë partia e parë është një “lajm shumë i keq për Kosovën”.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë fuqishëm këtë parti edhe në Kuvend edhe në çdo komunë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të na bashkohen në ballafaqim me këtë parti që ka instaluar regjim në Kosovë”, u shpreh Albin Kurti.