Kosova e Aftë Të Mbajë Zgjedhje Korrekte

Zgjedhjet e së dielës ambasada amerikane në bazë të raporteve të para për to i vlerëson “në masë të madhe të besueshme dhe në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare”.

Ambasada vlerëson se pas këtyre zgjedhjeve vendi e ka më lehtë t’i arrijë aspiratat evropiane.

“Më me rëndësi, përgëzojmë qytetarët e Kosovës që vendi i tyre i ri vazhdon të marrë hapa dramatikë për ta çuar më tej zhvillimin e tij demokratik dhe aspiratat evropiane”, thuhet në deklaratën ambasadës të lëshuar të hënën.

Ambasada vlerëson edhe autoritetet kosovare të rendit, ligjit dhe organizimit të zgjedhjeve për reagimin e shpejtë në lidhje me shkeljet e mundshme, por tërheq vërejtjen se është duke vëzhguar nëse secilit hetim për dyshime keqpërdorimi do t’i shkohet deri në fund.

Kjo ambasadë zgjedhjet e 8 qershorit i vlerëson të ndërtuara mbi progresin e arritur gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

Christopher Hill, paraardhësi i ambasadores Jacobson, zgjedhjet e kaluara parlamentare më 12 dhjetor 201o i pati vlerësuar të kryera me “ vjedhje industriale të votave”.

Presidentja Jahjaga dhe misioni i OSBE-së vlerësuan zgjedhjet e djeshme të qeta dhe të pranueshme.

Vetë ambasadorja Jacobson u nda e kënaqur tekssa vizitoi të dielën disa vendvotime.

“Do të shohim si do të ecin gjërat, por deri tani do të thosha se është mjaft mirë. Shpresojmë të shohim më shumë pjesëmarrje si dhe duam të shohim gjithashtu edhe sjellje të përgjegjshme nga numëruesit”, tha Jacobson në gjimnazin “Hamdi Berisha” të Rahovecit, ku ishte e vendosur një qendër votimi.