Kosova Voton

18:44

Ndalohet Votuesi i Dyshuar për Votim me Para

Mehdi Mulaj, Mitrovicë

Në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol të Mitrovicës është arrestuar një votues nën dyshimin se ka votuar me para. Lajmin e ka konfirmuar prokurori kujdestar Shyqeri Syla .

Ai ka thënë se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit 48 orësh.

17:39

Një i Arrestuar në Mitrovicë për Votim të Dyfishtë

Mehdi Mulaj, Visar Kryeziu, Mitrovicë

Në qendrën e votimit në shkollën “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës është arrestuar një person pasi është zënën në përpjekje për të votuar për herë të dytë.

Prokurori kujdestar, Shyqeri Syla, ka njoftuar se të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rastin e ka konfirmuar edhe menaxherja e qendrës së votimit në këtë shkollë, Shqipe Ibrahimi- Haxha.

“Motra e atij personi është vëzhguese e PDK-së e cila ka tentuar ta fusë vëllanë e saj të votojë për të dytën herë. Mbiemri i atij personi, Jaha, nuk ekziston në atë qendër votimi”, tha Ibrahimi- Haxha.

17:35

Arrestohen komisionerët e LDK-së dhe AKR-së në Gjakovë

Lekë Muqaj, Gjakovë

Dy komisionerë të qendrës së votimit 0222/02R në shkollën fillore “Zef Lush Marku” në Brekoc të Gjakovës janë arrestuar sot rreth orës 16:10 pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet tyre.

Menaxheri i qendrës së votimit, Kriger Ramaja , ka deklaruar që deri te arrestimi i tyre ka ardhur për shkak se Urim Jetishi, komisioner i LDK-së, i ka kërkuar komisionarit tjetër, Berat Kusarit nga AKR, listën e votuesve për të konstatuar a kanë dalë familjarët e tij për të votuar dhe për t’u telefonuar atyre në mënyrë që të dalin të votojnë. 

“Berat Kusari ka refuzuar dhe Urime Jetishi, sipas Kusarit, i ka thënë: “Ta prishi f’tyrën”, ka deklaruar Menaxheri i Qendrës së votimit në Brekoc. 

Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin.

 “Ka qenë një mosmarrëveshje në lidhje me disa letra. Jemi duke bërë hetimet për këtë rast”, tha për gazetën Jeta në Kosovë, rreshteri i Policisë, Naser Avdija.

Incidenti është konfirmuar edhe nga prokurorja në detyrë, Shpresa Bakija.

“Ka qenë një kërcënim i komisionerit të LDK-së ndaj AKR-së. Ne jemi në verifikim të rastit dhe që të dy janë shoqëruar në stacionin policor ku janë duke u mbajtur ende”, u shpreh Bakija për gazetën Jeta në Kosovë.

16:27

Kapet Duke Udhëzuar Njerëzit si të Votojnë për Nisma-n

Kreshnik Gashi, Malishevë

Afër qendrës së votimit të vendosur në shkollën “Hamdi Berisha” në Malishevë është hasur një person i cili kishte në posedim fletëvotime të kopjuara të cilat i përdorte si udhëzime për njerëzit të cilët vini të votonin.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për gazetën Jeta në Kosovë se është duke bërë hetimet për këtë rast, por nuk ka dashur të japë detaje.

“Jemi duke bërë hetimet me prokurorin rreth këtij rasti”, tha Fitim Thaçi nga Policia e Kosovës në Malishevë.

Ndërsa prokurori në detyrë, Agron Matjani, tha për gazetën Jeta në Kosovë se i dyshuari Adrian Mazreku, është zënë duke i udhëzuar njerëzit se si të votojnë për subjektin e tij politik.

“Është e vërtetë se e kemi zënë Adrian Mazrekun me një listë me njerëz dhe disa fletëvotime të kopjuara, në të cilat ai udhëzonte njerëzit si të votojnë për subjektin Nisma për Kosovën”, tha prokurori Matjani.

“Ai është intervistuar dhe është liruar për procedurë të rregullt”, u shpreh ai.

Kjo shkollë më herët është vizituar edhe nga ambasadorja e SHVA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

15:30

Dy të Ndaluar në Komoran

Naim Krasniqi

Rreth orës 10:30 në  fshatin Komoran, Komuna Drenas, në shkollën fillore “Xheladin Gashi-Plaku”, përkatësisht në qendrën e votimit më numër 0302/E, janë arrestuar dy të rinj të cilët kanë bartur simbole të PDK-së (maica, kapela dhe flamuj).

Të arrestuarit janë V. N. -1993, S. N. 1987, që të dy nga Komorani. 

Sipas prokurorit kujdestar, Elez Blakaj, dy të arrestuarit janë duke u mbajtur në Stacionin Policor në Drenas. 

Prokurori Blakaj tha se ka dhënë urdhër që t`u bastiset edhe vetura e të lartcekurve, dhe më pas do të merret vendimi lidhur me ndalimin ose jo  të të arrestuarve.

Në anën tjetër, menaxheri I shkollës Ruzhdi Orana, tha se njëri nga të arrestuarit është vërtetuar se ka votuar në qendrën e votimit 0302/E, por jo me simbole partiake. 

Sipas tij, simbolet partiake të njëjtit i kanë ekspozuar pasi kanë përfunduar me votimin në dalje të oborrit të shkollës. 

Lidhur më këtë ai tha se kanë njoftuar menjëherë organet e rendit dhe të njëjtit persona janë arrestuar nga policia. Sipas menaxherit Orana, prokurori kujdestar ka qëlluar shumë afër vendit të ngjarjes.

Zëdhënësi i degës së PDK-së në Drenas, Betim Berisha, tha se janë në dijeni për rastin dhe, sipas tij, të ndaluarit nuk e kanë ditur se është e ndaluar bartja e simboleve partiake në afërsi të vendvotimeve.

14:48

KQZ shtyp më pak fletëvotime

Gazeta Jeta në Kosovë

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha sot se ky komision ka porositur shtypjen e më pak fletëvotimeve për zgjedhjet e sotme.

Ajo tha se “arsyet ekonomike” qëndrojnë prapa këtij vendimi të KQZ-së.

Sipas Dakës, për këto zgjedhje, KQZ ka prorositur 10 % më pak fletëvotime se në zgjedhjet e kaluara.

Ajo tha se në zgjedhjet e sotme janë në përdorim 1 milion e 789 mijë fletëvotime.

14:09

Qendresa Mustafa, Vullnet Krasniqi

Gazetarët e Gazetës Jeta në Kosovë e kanë parë se afër shkollës “Zenel Hajdini”, kishte flamuj të partive politike.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/mZcBdpU0W64″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

13:36

Pak Votues në Veri

Në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe qytetarët e komunitetit me shumicë serbe janë duke votuar por me një numër të vogël të daljes në votime. Deri tash nuk ka pasur asnjë incident, ndërkohë që nga Beogradi kanë ardhur disa autobusë me qytetarë për të votuar, raporton një monitorues i BIRN në pjesën veriore të Kosovës.

13:10

Shoqërohet në Polici, më pas lirohet një komisionar në Gjakovë

Lekë Muqaj, Gjakovë

Rreth orës 7.30 të mëngjesit të sotëm, një komisioner i AKR-së në Gjakovë është shoqëruar në polici, dhe pas gjysmë ore është lënë i lirë për t’u kthyer në qendër të votimit.

Ngjarja ka ndodhur në qendrën e votimit 0201c e vendosur në shkollën fillore Hajdar Dushi në Gjakovë.

Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjoka, tha për gazetën Jeta në Kosovë se shoqërimi i komisionarit në polici ka ardhur pas një “keqkuptimi”

“Ka qenë një keqkuptim për shkak se ai e ka shoqëruar një person me nevoja të veçanta për t’i ndihmuar gjatë votimit. Ai është liruar dhe është kthyer në punë e tij në qendër të votimit”, tha Gjoka.

12:47

Fjalosje në shkollën “Zenel Hajdini” në Prishtinë

Qëndresë Mustafa, Prishtinë

Në qendrën e votimit 1920/04R në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë,  njëra nga vëzhgueset është fjalosur me kryesuesin e vendvotimit. 

Bujar Pajaziti, kryesues në këtë qendër votimi tha se rreth orës 9:00 një vajzë të cilën ai nuk e njihte ka hyrë duke shqetësuar komisionerët duke kërkuar të dijë numrin e votave.

“Vajza ka kërkuar të dijë se sa njerëz kanë votuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Pajaziti.

Pajaziti thotë se ka kërkuar të dijë se kush është ajo dhe pse kërkon të dijë këto të dhëna.

“Pasi ka dalë jashtë kjo vajzë, është kthyer me djalin e axhës së saj duke fyer dhe sharë”, tha Pajaziti.

Në qendër të votimit ka dalë edhe prokurorja kujdestare Ikramije Bojaxhiu së bashku me policinë. Ajo tha se nuk pasur përleshje.

“Unë isha në vendvotim , aty nuk ka pasur përleshje ka pasur vetëm një fjalosje mes vëzhgueses së njërës parti dhe kryesuesit e cila është sqaruar shpejt”, tha Bojaxhiu.

Sipas prokurores, procesi i votimit nuk është penguar ka vazhduar normalisht.


Shkolla “Zenel Hajdini”

12:40

Dyshime për Parregullsi në Malishevë

Kreshnik Gashi, Malishevë

Në fshatin Turjakë të Malishevës është hapur një rast ndaj një personi, i cili ka votuar pa dokument identifikimi. Burime të Prokurorisë së Gjakovës thonë se rasti ka ndodhur diku pas orës 8 të mëngjesit. 

Një rast tjetër është hapur në Malishevë, pasi që disa persona janë shëtitur nëpër rrugët e qytetit me posterë të PDK-së. Polica është në kërkim të këtyre personave, të cilët ende nuk janë identifikuar.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/-8JAJF8G77I” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

07:14

Kosova Nis Votimin

Gazeta Jeta në Kosovë

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e ka hedhur e para fletën e saj në kutinë e votimit për të shënuar kështu nisjen e një procesi votues që do të çojë në zgjedhjen e legjislaturës së re 120 anëtarëshe të Kuvendit të Kosovës.

Në orën 7 të mëngjesit të sotëm, Daka ka vizituar qendrën e votimit në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ku gjendet qendra e saj e votimit.

Pasi ka hedhur fletëvotimin në kuti, ajo u ka thënë gazetarëve se pret që Kosova sot ta përmbyllë qetë procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kjo është hera e pestë që nga viti 2001 që kosovarët thirren para kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Zgjedhjet e sotme mbahen pasi muajin e kaluar, deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës votuan për shpërbërjen e saj, pas një marrëveshjeje ndërmjet disa liderëve të partive politike.

Të drejtë votimi në zgjedhjet e sotme kanë 1.782. 454 votues të ndarë në 38 komuna. Lista e votuesve këtë vit përmban rreth 34 mijë emra të rinj të cilët për herë të parë kanë të drejtë vote.

Në 38 komunat e Kosovës, në këtë ditë do të hapen 798 qendra votimi me gjithsejt 2.374 vendvotime. 

Zgjedhjet e sotme kanë zgjuar interesim të madh të organizatave vëzhguese vendore e ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian ka dërguar në Kosovë një ekip prej 100 vëzhguesish të cilët do të raportojnë të hënën për të gjetutar preliminare nga ky proces.

Në përgjithësi, KQZ ka akredituar rreth 28 mijë vëzhgues të cilët do ta monitorojnë procesin gjatë ditës së sotme.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë 30 subjekte politike përfshirë parti politike, koalicione, iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në një adresim që i bëri popullit të Kosovës dje, Presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se 8 qershori është dita kur qytetarët e Kosovës do të vendosin “për rrugën e Kosovës në proceset e konsolidimit ndërkombëtar, të integrimeve dhe mbi të gjitha për demokracinë e brendshme të vendit”.

“Dua t’ju siguroj se do të bëjmë çmos që vota e juaj të mbrohet. Mekanizmat dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen fuqishëm që vota e qytetarit të jetë e paprekshme dhe e pacenuar”, tha Presidentja Jahjaga në këtë mesazh.

Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19, ndërsa KQZ pret që deri në mesnatë të dalë me rezultate preliminare të zgjedhjeve.