Prapë Dëshmi Austriake në Gjykimin për Pasaporta

Fritz në gjykatë tregoi rrethanat e takimit të parë me Natali Veliajn.

“Natalinë për herë të parë e kam takuar në vitin 2008, në kohën kur kam punuar në një projekt të përbashkët të Agjencisë Austriake të Zhvillimit dhe Ambasadës Austriake ne Kosovë”, tha ai.

Fritz së bashku me Veliajn kishin qenë konsulentë dhe përfaqësues ekskluzivë të kompanisë austriake OeSD lidhur me rastin e tenderit të pasaportave biometrike në Kosovë.

Austriaku në fillim ishte pjesë e KFOR-it, ndërsa pastaj në vitin 2009 krijoi kompaninë “Placidus Management”, pasi siç tha “kishte parë mundësinë e të bërit biznes në Kosovë”.

Kompania e Fritz-it pastaj punësoi si nënkontraktore të saj në çështjen e pasaportave kompaninë “Fimex” të Veliajt. Ai tregoi në gjykatë se detyrë e kompanisë nënkontraktore ishin çështje teknike, punët nëpër dogana, transporti dhe menaxhimi i ngarkesave.

Fritz dëshmoi se prej gjithsej 240 mijë eurove që kishte pranuar për shërbimet e tij nga OeSD-ja, 171 mijë ia kishte transferuar kompanisë së Natali Veliajt për shërbimet e kryera si nënkontraktore.

Fritz-it iu shtruan pyetje nga prokurori, avokati I Natali Veliajt Ali Beka. Pyetje i bëri Fritz-it edhe vetë Natali velija, pasi mori leje nga gjykata, me kërkesë të mbrojtësit e saj.

Pyetjet e Natali Veliajt për Fritz-in ishin të gjata dhe të paqarta për çka ajo mori vërejtje nga gjykata.

” A ju kam njoftuar juve dhe OeSD-në që kam pasur takim me MPB-në lidhur me nenin 5 të kontratës (në këtë nen parashihej që OeSD të regjistrohej si një kompani në Kosovë) dhe ju kam njoftuar që një kamion  është i bllokuar në pikën doganore në Pejë për dhjetë ditë?”-pyeti Velija dëshmitarin.

“Jo nuk më kujtohet”, ishte përgjigja e Fritz-it.

Për problemet doganore Fritz u pyet edhe nga avokati i të akuzuarës. “A Keni paguar detyrimet doganore?”, e pyeti Ali Beka Fritz-in. “Kjo nuk ka qenë përgjegjësi imja”, tha dëshmitari.

Drejtori i përgjithshëm i OeSD-së Reinhart Gausterer, u ankua kur dëshmoi në këtë rast të martën dhe të enjten se kompania e drejtuar prej tij, askund tjetër kur ka fituar tenderë me institucione shtetërore nuk ka paguar doganë për shërbimet e kryera. Ai tregoi se OeSD-ja ka prodhuar pasaporta biometrike për nëntë shtete.

Fritz-i gjatë dëshmisë bëri të ditura edhe detyrimet e kompanisë së tij ndaj OeSD-së.

” Detyra ime ishte të kontrolloj në këtë fushë specifike se  kush mund të ishin konkurrentët potencialë, kush mund të ishin partnerët, si ishte klima për investime në Kosovë dhe se shumicen e këtyre angazhimeve i kam kryer vet, por si një njeri që ka shërbyer në Kosovë për disa vite, kam pasur edhe kontaktet e mija nëpër ministri”, tha Fritz-i.

Ai tregoi edhe për takimin e rastësishëm me Gaustererin në pranverën e vitit 2010 në Odën Ekonomike të Kosovës dhe se aty kishte lindur ideja e projektit të pasaportave.

“Ne kishim një MPB që planifikonte të ndryshonte gjithë sistemin e dokumentacionit, duke filluar me prodhimin e pasaportave, ID-ve si dhe të gjitha dokumenteve tjera të sigurisë”, dëshmoi Fritz.

Fritz tha se nga përvoja e tijë në përgatitjen e dokumenteve lidhur me tender, e dinte se do u duhej një person që fliste rrjedhshëm gjuhën gjermane dhe gjuhën shqipe dhe kështu kishte filluar bashkëpunimi në trekëndëshin OeSD  – Andreas Fritz – Natali Velija.

Ky bashkëpunim u formalizua me shkrim në vitin 2011 në kohën që u vendos përfundimisht që OeSD-ja do të merrte pjesë në tender, por dokumenti i marrëveshjes ka 30 qershor 2010. mPB-ja dhe OeSD-ja nënshkruan kontratën për pasaportat biometrike në shtatorin e vitit 2011.
 
Fritz u pyet nga avokati Natali Veliajt për këtë kontradiktë.

“Ne menduam se kjo datë [30 qershori] ishte më e përshtatshme, sepse kjo ishte koha kur unë fillova të punoj për OeSD-në”,  tha Fritz.

Avokati Beka gjeti edhe një parregullsi në raportet e Fritz-it me OeSD-në. Kërkoi përgjigje se pse pagesa për punën e kryer i ishte bërë dëshmitarit përpara se OeSD-ja të shpallej fituese e tenderit, edhe pse me marrëveshje Fritz duhej të paguhej pasi tenderi të nënshkruhej.

“Është e vërtetë kjo, por ne kishim informata që OeSD-ja është në rrugë të drejtë dhe sipas të gjitha gjasave do ta fitojë tenderin për pasaportat biometrike”, u përgjigj Fritz.

Edhe Gausterer gjatë dëshmisë së tij tha se kompania OeSD kishte sinjale edhe më herët se mund ta fitonte tenderin.

Fritzin e pyeti edhe Bajram Tmava, avokati i të akuzuarit Betim Blakaj, nëse ai kishte ende marrëveshje kontraktuale me OeSD-në.

“Akoma punoj, kam raport kontraktual me ta”, ishte përgjigja e Fritz-it.

Gjykimi do të vazhdojë të hënën e ardhshme, ndërsa të enjten tjetër pritet të dëshmojë ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi.