Thaçi në Drenas Kujton Kohët e UÇK-së

Kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ftoi qytetarët që të vazhdojnë së bashku misionin për fitoren e radhës për të ardhmen e vendit. Sipas tij, garanci e suksesit të këtij misioni është “vizioni i qartë i kryeministrit Hashim Thaçi, strukturat e PDK-së dhe vetë qytetarët”.

Pas prezantimit të gjashtë kandidatëve për Kuvendin e Kosovës nga komuna e Drenasit, kryetari i  PDK-së, Hashim Thaçi, tha se “ne së bashku  e filluam rezistencën për çlirimin e Kosovës”.

“Ky tubim madhështor, i paparë ndonjëherë jo vetëm në Drenicë por në tërë Kosovën, po ndodh në vendlindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Thaçi.

 “Sot u bashkuam siç kemi qenë bashkë gjatë luftës së UÇK-së. Çdo familje e juaja ka qenë shtab i UÇK-së prandaj sot edhe individualisht po edhe institucionalisht përkulem para jush”, tha ai.

Hazir Bylykbashi, simpatizant i PDK-së, pati vetëm lavde për Thaçin.

“Hashim Thaçi është person i gjithanshëm që gjithmonë u ka ndihmuar invalidëve të luftës dhe ka qenë i interesuar për të gjitha komunat si në Gjilan, si në Pejë, e jo vetëm për Drenicë”, tha Bylykbashi.

Ndërsa Elisa Mjeku tha se PDK-ja gjatë viteve të fundit ka punuar në shumë segmente.

“PDK-ja ka bërë që Kosova të njihet prej 106 shteteve , ka bërë rritje të pagave, punësim , pra krijimin e vendeve të punës prandaj them se na duhet që ta kemi edhe një mandat”, tha Elisa Mjeku.