Zgjedhjet Nuk Shtyhen

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të biseduar për aspektet organizative të këtij procesi.

Në komunikatën e lëshuar pas këtij takimi nuk përmendet të jetë diskutuar për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, ashtu siç ishte raportuar më parë gjatë ditës.

“Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend, mbahen në kohën kur tragjedia në Korporatën Energjetike të Kosovës në Obiliq ka goditur gjithë qytetarët e vendit. Ajo tha se dhembja është e madhe dhe theksoi se tani vendit i duhet një solidarizim me familjet e atyre që u prekën në këtë tragjedi”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës pas takimit të mbajtur sot me anëtarët e KQZ-së.

Në këtë takim, Presidentja Jahjaga bisedoi për përgatitjet që ky Komision po bën për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend, më 8 qershor.

Në komunikatë thuhet se edhe Presidentja edhe anëtarët e KQZ-së kanë theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës “duhet të jenë të lira, demokratike, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse”.

 

Anëtari i Komisionit Qendror të zgjedhjeve Florian Dushi tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk ka arsye që zgjedhjet të shtyhen.

Në këto momente presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është në takim me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por Dushi thotë se ky është një takim i zakonshëm.

“Ky është një takim i zakonshëm. Zgjedhjet nuk ka arsye që të shtyhen”, tha Dushi.

Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së Ilir Gashi tha se takimi i sotëm i Presidentes me anëtarët e KQZ-së ka qenë i thirrur një javë më parë.

“Ky takim ka pasur të bëjë kryesisht me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, shpjegoi Gashi.

“Nuk është situatë emergjente që të shtyhen zgjedhjet”, shtoi ai.

Të njëjtën gjë e pohoi edhe Adnan Rrustemi, anëtari i “Vetëvendosjes” në KQZ.

“Ky takim është planifikuar me herët për t’u mbajtur në orën 14:30, por u mbajt në 15:30 si pasojë e aksidentit në KEK. Në takim u bisedua që të gjitha institucionet që janë të përfshira në procesin zgjedhor të mobilizohen që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe demokratike”, tha Rrustemi.

Sipas kryesueses së KQZ-së Valdete Daka janë disa rrethana të caktuara në të cilat mund të bëhet shtyrja e datës së zgjedhjeve.

“Jam duke shkuar në takim me Presidenten. Zgjedhjet mund të shtyhen vetëm nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga Presidentja, gjë që nuk është bërë”, tha Daka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Bazuar në kompetencat e Presidentes të përcaktuara me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk parashihet fare e drejta e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, e cila tashmë është vendosur për 8 qershor.

Ky nen parasheh vetëm të drejtën e Presidentes që t’i shpallë zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Presidentja ka të drejtë të vendosë kufizime vetëm në rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme e cila sipas nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës mund të shpallet vetëm në tri raste: kur ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes, nëse ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe nëse ka fatkeqësi natyrore e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës, ose një pjesë të tij.

Më herët, i pyetur nga gazetarët, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ishte shprehur se nuk do ta kundërshtonte një shtyrje eventuale të datës së zgjedhjeve.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë çështje e kishte lënë në dorë të Presidentes Atifete Jahjaga.

Sipas Arbër Vllahiut, zëdhënës i presidentes së Kosovës, kabineti i kreut të shtetit nuk ka dëgjuar për ndonjë propozim për shtyrje të zgjedhjeve.

“Ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Jemi duke biseduar për shpalljen e ditës së zisë për shkak të kësaj tragjedie, por jo shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Është hera e parë që po dëgjoj për këtë punë”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidencës së Kosovës.

Dy zyrtarë të lartë të LDK-së kanë mohuar që kryetari i partisë, Isa Mustafa, të ketë kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Është totalisht e paarsyeshme që të shtyhen zgjedhjet për këtë tragjedi që ka ndodhë në KEK”, tha Arben Gashi i LDK-së.

“Natyrisht ne i shprehim ngushëllime familjes dhe ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi, por zgjedhjet nuk anulohen për këtë punë”, u shpreh Arben Gashi.

Kundër shtyrjes së zgjedhjeve është shprehur edhe Ismet Beqiri, sekretar i përgjithshëm i LDK-së.

“Lajmet në portale që ne e kemi pranuar shtyrjen e zgjedhjeve janë totalisht të pavërteta”, tha Ismet Beqiri.

“Presidentja nuk mund ta shpallë vetë gjendjen e jashtëzakonshme. Ajo duhet të bëjë konsultime. Ajo nuk është mbret”, u shpreh Beqiri.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar ndërkohë, nuk ka pranuar të komentojë për këtë çështje.

“Nuk është e imja të kem mendim për këtë. Institucionet e Kosovës duhet të vendosin për këtë”, tha Zhbogar.

Ndërsa zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Elie Teichmen, tha për JnK se grupi i Qunitit e as Ambasada Amerikane nuk janë duke u angazhuar apo biseduar për anulim të zgjedhjeve.