Politika Solidarizohet me të Prekurit nga Shpërthimi

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, pezulloi të premten aktivitetet e ditës së fundit të fushatës, pas shpërthimit në Termocentralin “Kosova A”.

“Do të mundohemi që të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish. Kjo për momentin është primare. Të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK. Nuk ka nevojë për panik. E kemi lokalizuar zonën e rrezikut”, tha Thaçi për RTK-në.

Pezullimin e aktiviteteve të fushatës për ditën e premte e bëri të ditur edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

“I bëjmë thirrje dhe jemi në mbështetje të institucioneve përkatëse që të punojnë sa më shpejt në shmangien e rrezikut që mund t’u kanoset personave të tjerë”, thuhet në kumtesën e VV-së, e cila kërkon hetimin për shpërthimin.

Fushatën e ndërprenë edhe AAK-ja, Partia e Fortë dhe Nisma.

Edhe Komuna e Prishtinës njoftoi se është në gjendje gatishmërie, teksa kryetari i saj Shpend Ahmeti vizitoi QKUK-në.

“Komuna e Prishtinë ka vendosur të gjitha resurset e veta në dispozicion për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në trajtimin e të lënduarve”, tha Adonis Tahiri.

Pikëllim për tragjedinë dhe gatishmëri për të ndihmuar shfaqën e po vazhdojnë të shprehin edhe liderët tjerë politikë.

Isa Mustafa i LDK-së anuloi dy tubime.

Ai kishte paraparë që në orën 11:30 të zhvillojë një vizitë në Panairin e Librit në Prishtinë, ndërsa në 12:00 një takim me sportistë në stadiumin e Prishtinës.

Më pas LDK-ja njoftoi pezullimin e të gjitha aktiviteteve elektorale.

“Kryetari Mustafa dhe Lidhja Demokratike e Kosovës solidarizohen me punëtorët e KEK-ut dhe familjet e atyre që pësuan nga kjo fatkeqësi, duke u dëshiruar të lënduarve shërim sa më të shpejtë” , thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kreu i AKR-së Pacolli u bëri thirrje subjekteve politike që ta anulojnë tubimet elektorale.

“Në përpjekje për të shmangur politizimin e mundshëm të kësaj ngjarjeje në ditën e fundit të fushatës, AKR-ja bën thirrje për ndalimin e fushatës zgjedhore për të lejuar nderimin dinjitoz të të vdekurve dhe respektimin e familjeve të tyre. AKR kërkon shpalljen ditë zie në nivel Kosove për nderimin e viktimave”, tha Pacolli.

Edhe Ramush Haradinaj shfaqi pikëllimin për ngjarjen.

“Thellësisht i pikëlluar shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e të vdekurve me rastin e tragjedisë në KEK. Të lënduarve u dëshiroj shërim dhe kthim sa më të shpejtë në gjirin familjar!”, tha Haradinaj.

Keqardhje për aksidentin shprehu edhe kandidati i pavarur për deputet Hasan Gashi.

“Në emër tim dhe të qytetarëve të Kosovës shpreh keqardhje dhe ofroj mbështejte morale dhe materiale për të gjitha personat që pësuan në këtë fatkeqësi”, thotë Gashi.

Familjet e të vdekurve ngushëlloi edhe presidentja Jahjaga.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që në këto momente të vështira të solidarizohen në dhembje me familjarët dhe të afërmit e atyre që u prekën nga kjo fatkeqësi e rëndë dhe të bashkohen në lutje për fatin e punëtorëve të KEK-ut dhe shërimin e tyre të shpejtë”, tha presidentja që gjithashtu shkoi pas shpërthimit për vizitë të lënduarve në QKUK.

Kosovën kanë ngushëlluar edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha.

 “Lajm tronditës nga Kosova, dhimbje e solidaritet për familjarët, le të lutemi që numri i të vdekurve dhe të dëmtuarve të mos rritet më tutje”, ka shkruar Rama.

Njësoj është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Shpërthimi tragjik sot në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët”, shkroi Basha në Facebook.

Fjalë të ngjashme ngushëllimi tha edhe Berisha. 

“Duke ju uruar shërim të shpejtë te plagosurve, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave dhe lutem së bashku me to”, shkroi ai po ashtu në Facebook.