Gausterer: OeSD-ja u Shqetësua për Vonesat

Gausterer në ditën e tij të dytë të dëshmisë në rastin kundër Natali Velija-s dhe nëntë të akuzuarve tjerë për krim të organizuar, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi tregoi se kompaninë austriake e kishin shqetësuar vonesat e pagesave që nga MPB-ja nëpërmjet Velijas shkonin te OeSD-ja.

Gausterer tregoi se si pas vonesave të pagesave në vazhdimësi kishte kontaktuar dhe pyetur të dyshuarën Velijaj lidhur me vonesat dhe në vazhdimësi kishte marrë përgjigjen se këto ishin vonesa normale dhe se të gjitha detyrimet ndaj OeSD-së do të përmbusheshin.

Ministria e Punëve të Brendshme në shtator të vitit 2011 nënshkroi kontratë me OeSD-në për prodhimin e pasaportave biometrike në vlerë 14 milionë, 127 mijë e 3.24 euro. 1 milion e 400 mijë e 255 euro nga kjo shumë nuk shkuan kurrë në llogarinë e kompanisë austriake, ngase dyshohet se u keqpërdorën nga Natali Velija dhe grupi i saj.

Velija që njihte gjuhën gjermane dhe atë shqipe shërbente si ndërmjetësuese mes palëve që nënshkruan tenderin.

Gausterer tha se pas vonesave të pagesave i ishte telefonuar ambasadorit austriak në Kosovë, për t’ia aranzhuar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepin.

Gausterer fajësoi Natali Velijan se ka falsifikuar edhe faturat në emër të OeSD-së, duke paraqitur si prova para prokurorit këto fatura. Ai tha se faturat origjinale që OeSD-ja ia kishte dërguar Velijas, ndryshonin prej faturave false.

Velija akuzohet edhe për mashtrim dhe keqpërdorim të besimit.

Prokurori më pas pyeti Gausterer-in nëse i akuzuari Fisnik Blakaj punonte për OeSD-në.

“Jo ai asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar nga OeSD-ja, ai në të shumtën e rasteve që jam takuar me Natalinë ka qenë i pranishëm, por unë kam menduar se është shoferi i saj”, iu përgjigj kësaj pyetje shefi i kompanisë që prodhon dokumente identifikimi.

Gausterer u pyet edhe nëse njihte të akuzuarit tjerë, disa prej të cilëve të lidhur me kompanitë “Pirro” Shpk, “Ron ing “,  “Qeramika” dhe “Contruction Beton”, drejt të cilave Velija dhe Blakaj kishin dërguar shuma të mëdha parash.

Gausterer mohoi t’i ketë njohur më parë të akuzuarit. Tha se për ta ka marrë vesh vetëm pasi EULEX-i ngriti aktakuzën.

Më pas Gausterer iu përgjigj pyetjeve të Ali Bekës, avokatit që mbron Natali Velijan.  

“Ju para prokurorit keni thënë se pa Natali Velijan nuk do të kishit fituar tenderin e pasaportave“, i tha Beka Gausterer-it në seancë.

Austriaku mohoi një gjë të tillë. 

“Jo kjo nuk është e saktë, asnjëherë nuk kam thënë diçka të tillë” u përgjigj Gausterer.

Beka pastaj e pyeti Gausterer-in se pse në qershorin e vitit 2011, ende pa u shpallur fituese e tenderit OeSD-ja ia pagoi 200  mijë euro Natali Velijës.

Gausterer u përgjigj se ishte normale që para se të shpallej fituesi i tenderit të dihej se kush ishte fituesi potencial dhe pastaj ishte një periudhë në të cilën tenderuesit tjerë mund të ankoheshin.

Më 17 qershor 2011 u nënshkrua tenderi për pasaportat biometrike, ndërsa në shtator të para tre vjetëve edhe kontrata MPB-OeSD.

Beka e pyeti Gausterer-in edhe nëse ai e njihte Besnik Berishën, shefin e Njësisë së Prodhimit të pasaportave në MPB, i cili pas shpërthimit të skandalit u suspendua nga puna.

Gausterer shpjegoi se e kishte takuar Besnik Berishën dy herë. Herën e parë në zyrat e OeSD-së  në vitin 2008 ose 2009 me rastin e një trajnimi ku Besnik Berisha merrte pjesë, si dhe herën e dytë në Prishtinë pas nënshkrimit të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike.

Gausterer sqaroi edhe autorizimet që kompania austriake ia ka dhënë Natali Velijës.

“Në maj të 2011-ës nuk i kemi dhënë autorizim, ajo ishte një deklaratë se Andreas Fritz dhe Natali Velija ishin përfaqësuesit tanë të vetëm në çështjen e pasaportave, ndërsa pastaj ishin dy të ashtuquajtura autorizime që Natali Velija i kishte kërkuar nga ne sepse zyrtarët ë MPB-së i kishin kërkuar t’i kishte në formë të shkruar”, shpjegoi Gausterer.

Gjykimi po vazhdon sot, ndërsa priten të dëshmojnë konsulenti i OeSD-së Andreas Fritz dhe dy dëshmitarë të prokurorisë.