Thaçi-Simpatizantëve: “Misioni i Ri” Jeni Ju (TV)

Kryeministri Hashim Thaçi përveç që u vonua njëzet minuta në tubimin zgjedhor, shkeli nëpër bagazhe që shërbenin si shkallë për t’u ngjitur në podium, kur iu drejtua të tubuarve në Suharekë të mërkurën.

Organizatorët e këtij tubimi nuk kishin arritur që të ndërtonin shkallë të tjera më të zakonshme, ndërsa kjo ngjarje nga dega e PDK-së në Suharekë ishte paralajmëruar të ndodhte në orën 16:30, e nga qendra e partisë në Prishtinë gjysmë ore më vonë.

Hashim Thaçi në sallë mbërriti në orën 17 e 20 minuta. Ai kërkoi mobilizim të suharekasve për promovim të PDK-së dhe dalje në zgjedhje.

“Ju ftoj të gjithëve edhe këto ditë sa kanë mbetur të fushatës, komunikoni me çdo qytetar, çdo familje, çdo lagje, fshat dhe qytet për me dalë me e votu PDK-në dhe partnerët e koalicionit”, tha

Ai përmendi edhe “Misionin e Ri”.

“…Ju të gjithë qytetarët jeni ‘Misioni i Ri’”, shtoi i pari i PDK-së i emocionuar.

Kandidatë për deputetë të PDK-së nga Suhareka janë Enver Hoxhaj dhe Ramë Vataj.

Edhe një qytetar, pjesëmarrës në tubim mbajti mend fjalët për “Misionin e Ri”.

“’Misioni i Ri’ është mision shumë i bukur dhe shumë i fuqishëm”, tha ai, pa shpjeguar detajet e këtij misioni.