Thaçi Shpall Fitoren Në Prizren (TV)

Kryeministri në largim, njëherësh kryetar i PDK-së Hashim Thaçi, ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët Kadri Veseli e Enver Hoxhaj, kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja dhe kandidatët për deputetë nga Prizreni.

Thaçi tha se gjatë viteve të qeverisjes së PDK-së ka qenë Prizreni që ka përfituar më së shumti.

Në këtë drejtim ai përmendi themelimin e Universitetit Publik të Prizrenit dhe projektet infrastrukturore për këtë komunë.

Si në shumë nga tubimet e partive politike, edhe në këtë tubim të PDK-së, kishte prezencë të madhe të fëmijëve. Njëri nga ta madje shfrytëzoi momentin për të bërë foto me të parin e PDK-së. E dy të tjerë patën me çka të argëtoheshin, duke lozur me balonat e mbetura në numër të madh pas mbylljes së takimit.

Gjatë tubimit, Thaçi u përmendi prizrenasve edhe rritjen e pagave për shërbyesit civilë dhe ligjin për veteranët e UÇK-së.

 “Më lejoni që t’ju uroj fitoren e re të Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren dhe në gjithë Kosovën, Urime”, tha Thaçi.

Ai u tha qytetarëve në Prizren, se ka realizuar “dy ëndrra të mëdha historike” të qytetarëve të Kosovës, atë të lirisë dhe të pavarësisë, tani u tha atyre se pas 15 vjetëve PDK-ja, ka projektuar misionin e tretë për zhvillimin ekonomik të cilin ai po e quan “Misioni i Ri”

Sipas tij, ky mision ka të bëjë me rritjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

I pari i PDK-së ftoi qytetarët e Prizrenit që të dielën të dalin të votojnë PDK-në duke bërë zgjedhje të qeta.

Në këtë drejtim, ai pati një mesazh edhe për opozitën.

 “I ftoj edhe opozitën që në mënyrë krejt të qetë, të durueshme, mirëkuptuese, me urtësinë më të madhe tonë tradicionale, me përgjegjësitë më të larta institucionale të respektojmë rezultatin zgjedhor, vullnetin e sovranit, fitoren e PDK-së, ‘Misionit të Ri’, me ne do të fitojnë të gjithë’’, tha Hashim Thaçi.

Simpatizantët e që kishin ardhur ta përcjellin tubimin e PDK-së thanë t’u kenë bërë përshtypje premtimet për vende të reja të punës.

 “Duke marrë parasysh që 70 mijë biznese ekzistojnë në Republikën e Kosovës, nga tre të punësuar më shumë del 210 mijë të punësuar, që është krejt e mundshme me e realizu këtë premtim’’, tha Enver Kastrati, qytetar nga Prizreni.

 “’Misioni i Ri’ na premtoi vende të punës, jetë më të mirë’’, tha shkurt Xhevdet Mekani, qytetar prizrenas.