Protesta e Dytë e Punëtorëve të “Kosova Petrolit” (TV)

Edhe të mërkurën, sikurse dy ditë më parë para selië së Agjencisë  Kosovare të Privatizimit ka vazhduar protesta e punëtorëve të ndërrmarrjes “Kosova Petrol” .

Punëtorët e “Kosova Petrolit” , ndërmarrje kjo në pronësi të biznesmenit Bedri Selmani, kundërshtojnë shpalljen publike të AKP-së për dhënien me qira të 10 pikave të karburantit të kësaj ndërmarrjeje.

Në bazë të një mërreveshje me administratën e Unmik-ut  “Kosova Petroli”  kishte shfytëzuar pompat e kompanisë kroate të naftës “Ina Trgovina”  që nga viti 2000, por tani AKP-ja ka vendosur që 10 prej gjithsej 34  pikave të kësaj kompanie t’i paraqesë në shpalljen publike për dhënie me qira.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarëve së Kosovës (SPEVZ) në kuadër të BSPK-së shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me vendimin e AKP-së.

“ Asniherë në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë që të jepen asetet me qira”, tha ai gjatë protestës.

Azemi kërkoi privatizim të rregullt të këtyre pikave, sepse sipas tij nëse shkohet me dhënie me qira punëtorët e “Kosova Petrolit” do ta humbin të drejtën e 20 përqindëshit që u takon punonjësve të ndërmarrjeve të privatizuara.

Azemi më tutje shfaqi frikën se dhënia e këtyre pikave të karburanteve me qira, do t’ua mohojë punëtorëve të “Kosova Petrolit” 20 përqindëshin që u takon punonjësve të ndërmarrjeve të privatizuara.

 “Ekziston rreziku që nese kjo bëhet në formën si e duan këta, punëtorët do të mbeten pa të drejtën e 20 %. Kërkesa jonë është që të privatizohen pikat sepse forma e dhënies së aseteve me qira, askush nuk merr asnjë obligim ndaj punëtorëve që kanë punuar me vite të tëra”, tha ai. 

Edhe Ali Sylejmani, kryesindikalisti i “Kosova Petrol”-it  e cilësoi si të padrejtë vendimin e AKP-së.

 “Ky është një vendim i padrejtë dhe nëse nuk e anulojnë AKP-ja do të jetë përgjegjëse për këtë padrejtësi”, tha ai.

AKP-ja kompaninë “Kosova Petrol”  e konsideron uzurpatore të pronës së ndërmarrjes kroate të industrisë së naftës.

Një ditë pas protestës së punëtorëve më 3 qershor agjencia që privatizon ish-ndërmarrjet shoqërore kosovare reagoi kundër “Kosova Petrolit”.

“Agjencia ka kompetenca ekskluzive që të administrojë ndërmarrjet në pronësi shoqërore, pavarësisht nëse i janë nënshtruar transformimit apo jo, pavarësisht a janë të organizuara si subjekte apo jo që kanë qenë në pronësi shoqërore me ose pas 22 marsit 1989”, thuhet në reagimin e AKP-së.

Por në protestën e së mërkurës punëtorët e “Kosova Petrolit” patën kërkesa për AKP-në.  Ata kërkuan nga Agjencia për ta shqyrtuartuar dhe hulumtuar vendimin për dhënie me qira dhe për të mos i ndarë pikat e karburantit të kësaj kompanie.

Ata patën edhe një kërkesë të tretë. Nëse AKP-ja nuk i merr parasysh dy kërkesat, ata duan që ajo 19 paga mujore si dhe të mos u cenohet e drejta për vazhdimin e marrëdhënies së punës deri në privatizimin e ndërmarrjes.

Kërkesat në emër të Kryesisë së Sindikatës së “Kosova Petrol-it” i paraqiti Besfort Sadriu

Punëtorët më pas u takuan me zyrtarë të AKP-së, por nuk u arrit ndonjë rezultat.

“Jo nuk kemi arritur asnjë marrëveshje, krejt çka na kanë ofruar është që të ankohemi në Gjykatën Supreme, kërkesat e punëtorëve nuk po merren parasysh”, tha Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarëve së Kosovës (SPEVZ), pas takimit.

Edhe zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi konfirmoi se nuk është arritur ndonjë përparim.

“Nuk ka ndonjë zhvillim dhe se AKP-ja mbetet në qëndrimin e saj të shprehur përmes reagimit të datës 03.06.2014”, tha Kaloshi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Punëtorët e “Kosova Petrolit” ka gati dy vjet që nuk kanë marrë pagat e tyre.

“Jemi pa rrogë, të keqtrajtum edhe ashtu edhe kështu na u kan shkel të gjitha të drejtat… tashi na kan qitë në pazar me na shitë, sikur kingjat të kasapi“, tha Tefik Berisha, njëri nga punëtorët.

AKP-ja thotë se “Kosova Petroli” i ka borxh Agjencisë.

“Borxhi i llogaritur deri më tani për shfrytëzimin e këtyre pronave të ndërmarrjeve shoqërore [INA-s] shkon në rreth 2 milionë euro dhe deri më tani kjo kompani [ Kosova Petroli] nuk ka bërë ndonjë pagesë”, thuhet në reagimin e AKP-së më 3 qershor.