Prokuroria në Fushatë Kundër Fushatës “Voto dhe Vëzhgo”

Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë e vlerësojnë si anashkalues spotin reklamues të koordinatores nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Kosovës Laura Pulës, e cila thotë se gjatë ditës së zgjedhjeve qytetarët duhet të njoftojnë vetëm Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit në rast se vërejnë ndonjë keqpërdorim.

Këtë e thotë prokurorja Pula në spotin televiziv për zgjedhjet parlamentare 2014 që tash e sa ditë po emetohet në televizionet nacionale të Kosovës.

“Adresa e vetme e raportimit të keqpërdorimit të votës është Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit”, thotë, ndër të tjera, Laura Pula në këtë spot.

Por përfaqësues të OJQ-ve kosovare thonë se prokurorja nuk duhet ta anashkalojë fushatën “Voto dhe Vëzhgo”, të lansuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Në kuadër të kësaj fushate,  KFOS-i ka ofruar numrin 50088 ku qytetarët mund të thërrasin gratis dhe të lajmërojnë për ndonjë parregullsi që ata vërejnë gjatë zgjedhjeve të 8 qershorit.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se Prokuroria e Shtetit fushatën e lansuar nga SOROS-i duhet ta shohë më shumë si një ndihmesë sesa një konkurrencë.

“Fushata e SOROS-it mund të thithë më shumë informacion sesa numri i zyrtarëve të policisë, prandaj prokuroria këto informacione duhet t’i marrë si ndihmesë dhe si shërbim për sundimin e ligjit për të cilën ajo duhet të shprehë gatishmëri të plotë për bashkëpunim”, tha Korenica.

Ai shtoi se prokuroria nuk mund ta anashkalojë këtë burim informacioni që mund të vijë potencialisht edhe prej raportimeve të projektit të SOROS-it pasi “çdo informacion në çfarëdo forme duhet të shërbejë si burim i mjaftueshëm për të nisur hetimet nëse ka shkelje apo vepra penale në këtë proces zgjedhor”.

Kurse Visare Aliu, koordinatore e fushatës “Voto dhe Vëzhgo”, thotë se qëllimi i kësaj fushate është aktivizimi i qytetarëve dhe se sipas saj kjo fushatë nuk  e pengon punën e prokurorisë, ose policisë.

Organizata KFOS fushatën “Voto dhe Vëzhgo”, e kishte lansuar për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Aliu e KFOS-it tha se në zgjedhjet lokale kanë marrë diku rreth 12 mijë mesazhe nga qytetarët të cilët kanë raportuar për parregullsitë të cilat i kanë vërejtur gjatë zgjedhjeve. Por, ajo thotë se nuk ka pasur raste të rënda për t’i përcjellë në prokurori.

Sa i përket prokurores Pula se rastet duhet ë raportohen vetëm te Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, Aliu thotë se është “mendim i prokurores”.

“Unë po besoj ajo ka dashur për të mbrojtur  punën e vet, por fushata “Voto dhe Vëzhgo” në asnjë moment nuk e kërcënon apo nuk e rrezikon punën e prokurorisë që ka të bëjë direkt me aktivizimin qytetar”, tha Aliu.

Ajo tha se kjo fushatë vetëm sa i ndihmon prokurorisë, pasi që “njerëzit vetëdijesohen më tepër se janë të obliguar ta mbrojnë vetën e vet dhe në këto raste ata kanë shpresë se diku dikush mundet për t’i  ndihmuar”.

Prokurorja Pula: Parregullsitë të raportohen vetëm në polici dhe prokurori

Prokurorja Pula thotë se në bazë të kushtetutës dhe ligjeve i vetmi institucion që bën ndjekjen e veprave penale në Republikën e Kosovës është institucioni i Prokurorit të Shtetit.

“Thirrjet e kujtdo që të denoncohen veprat penale dhe keqpërdorimet e të drejtave të votimit janë të papranueshme, krijojnë konfuzion dhe shkaktojnë dëme të pariparueshme për procesin e zbardhjes së krimeve dhe kryesve të veprave penale. Askush tjetër nuk ka mandat që të bëjë ndjekjen e kryesve të veprave penale, përveç prokurorëve të shtetit”, tha Pula për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo thotë se “duhet të ndalohen” thirrjet e fushatës “Voto dhe Vëzhgo”.

“Thirrjet e kampanjës 500 88 apo kushdo tjetër që bën këso thirrje janë të dëmshme dhe duhet të ndalohen si të tilla”, tha Pula.

Sipas saj, denoncimet e bëra në adresa tjera u shërbejnë vetëm organizatave që i bëjnë këto iniciativa.

“Këto thirrje duhet të bëhen në mënyrë të qartë për opinionin publik, duke i njoftuar se denoncimet e tyre në këto adresa janë vetëm denoncime të cilat shërbejnë për interesa të këtyre organizatave, por jo për të luftuar dhe reaguar ndaj kryesve të keqpërdorimeve, sepse ndjekjen e tyre mund ta bëjë vetëm Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës”, tha ajo.

Edhe Betim Musliu nga Instituti i Drejtësisë i Kosovës thotë se vetëm organet si policia dhe prokuroria duhet të njoftohen në rast të ndonjë keqpërdorimi eventual.

 “Konsideroj se institucionet e drejtësisë me të drejtë kanë vlerësuar dhe kanë bërë thirrje që denoncimet për çfarëdo keqpërdorimi në lidhje me votimet të raportohet vetëm në polici dhe Prokurori”, thotë Musliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kjo çështje është e rregulluar me legjislacionin pozitiv dhe qartë përcaktohet se kush ka mandat të ofrojë siguri dhe të bëjë ndjekjen e kryesve të veprave penale që në këtë rast është Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit”, u shpreh Betim Musliu.

Sipas tij, çfarëdo adrese tjetër përveç institucioneve të drejtësisë, e cila hapet për të raportuar keqpërdorimet për veprat penale në lidhje me të drejtat e votimit vetëm sa do të krijojë probleme për institucionet e drejtësisë.