Menaxhmenti i RTK-së Gojëmbyllur për Incidentin e Radio Kosovës

Berat Miftari ushtruesi i detyrës së redaktorit përgjegjës të Radio Kosova 2 e përshkruan si ngjarje bizare incidentin që ka ndodhur mes tij dhe drejtorit të kësaj radioje Azem Bujupit.

Miftari i cili është moderator i emisionit “Metropol”, emisioni më i popullarizuar radiofonik në Kosovë që transmetohet që dhjetë vjet, i ka treguar gazetës se si të martën më 26 maj 2014 ka pasur një diskutim mes tij dhe drejtorit Bujupi, pas të cilit ka ndërhyrë edhe policia.

Sipas tij, kjo ka ndodhur në zyrën e kryeredaktorit Albert Ademi derisa aty ka qëlluar edhe Bujupi.

“Më 26 maj kam shkuar ta nënshkruaj kërkesën për pushim në të cilën isha nënshkruar si ushtrues detyre i redaktorit, ashtu siç e kam të caktuar me kontratë, por drejtori më tha hiqe emrin se nuk je më ushtrues i redaktorit”, thotë Miftari.

Miftari thotë të mos ketë pranuar që të ndryshonte titullin e tij, pasi që nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje nga menaxhmenti. “Këtë pozitë e mbaj me kontratë”, shpjegoi ai.

“Nuk ka pasur asgjë aty, por vetëm diskutim dhe nuk e di pse e ka thirrur policinë”, ka thënë Miftari. “Prezenca e policisë ka qenë e inskenuar dhe ata janë thirrur vetëm sa për t’i dhënë dramacitet ngjarjes”.

Policia thotë se më 27 maj është iniciuar një rast i kanosjes.

“Sa i përket këtij rasti, hetuesit policorë kanë përfunduar fazën e parë të intervistimit të palëve të përfshira ne rast dhe me urdhër të prokurorit lënda pas kompletimit do të dërgohet në procedurë te rregullt në prokurorinë përkatëse”, njofton policia, duke mos ofruar më shumë informata rreth këtij rasti.

Zyrtari për informim i RTK-së Bekim Shehu thotë se “menaxhmenti i RTK-së nuk e komenton këtë rast, pasi që Jeta në Kosovë është pjesë e RTK-së”.

“Jeta në Kosovë” është emision i çështjeve aktuale që prodhohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe transmetohet në RTK, por debati i zgjedhjeve në vitet 2013 dhe 2014 trasnmetohet në TV21.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me drejtorin e Radio Kosova 2 Azem Bujupin dhe kryeredaktorin e saj Albert Ademin, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as drejtori i Radio Televizionit të Kosovës Mentor Shala.

Incidentin nuk e ka komentuar as Rrahman Paçarizi, kryetari i Bordit të RTK-së.

“Posa jam kthyer në Kosovë. Pyeteni menaxhmentin e RTK-së për rastin”, ka thënë shkurt Paçarizi.

Komente për ngjarjen nuk ka dhënë as anëtari i Bordit të RTK-së Fadil Bajraktari.

“Ende nuk e kemi trajtuar këtë rast dhe se kur të mblidhet bordi e të diskutohet rasti do të nxjerrim një vendim”, ka thënë Bajraktari.

Por Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, thotë që nuk është hera e parë që punëtorët e këtij mediumi publik përballen me degradime.

“Nuk është hera e parë që punëtorët e RTK-së përballen me presione, kërcënime, degradime, e deri me largim nga puna nga ky menaxhment. Në RTK, brenda nate, madje edhe vetëm përmes një e-mail-i, ndodhin degradime e avancime duke shkelur çdo rregullore e ligj”, tha Fadil Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Për këtë gjendje, ai fajtor e bën menaxhmentin e RTK-së.

“Me këtë menaxhment, RTK-ja po degradon çdo ditë e më shumë, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë profesional”, u shpreh Hoxha.

Drejtori i RTK-së Mentor Shala nuk e ka komentuar deklaratën e Fadil Hoxhës.

Shoqatat e gazetarëve kërkojnë zgjidhje të shpejtë të rastit

Pas incidentit të ndodhur ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.  Ky asociacion e ka quajtur këtë incident si shqetësim për lirinë e shtypit në vend, ndërsa i ka bërë thirrje menaxhmentit të RTK-së ta zgjidh rastin sa më shpejt.

“AGK-ja i bën thirrje menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës që të marrë masa në pajtim me rregullat dhe ligjet në fuqi për të shmangur presionin ndaj gazetarëve dhe ta zgjidhë sa më shpejt të jetë e mundur këtë rast”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje bordit të RTK-së për zgjidhje sa më të shpejtë të problemit.

“Bëjmë thirrje që me incidentin në fjalë policia t’i vazhdojë hetimet deri në fund dhe Bordi i RTK-së t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për këtë incident, i cili edhe nuk është i pari”, i ka thënë gazetës Muhamet Jahiri, kryetar UGK-së.

Sipas Jahirit, është shqetësuese qasja e menaxhmentit të Radio Kosovës ndaj punëtorëve, ndërsa  ka kërkuar nga sindikata e RTK-së t’i denoncojë publikisht rastet e kërcënimeve dhe të presionit të gazetarëve në këtë medium në mënyrë që ato të trajtohen nga organet e drejtësisë.

Përderisa rasti nuk është zgjidhur ende, Berat Miftari që aktualisht ndodhet në pushim, shpreson që kur të kthehet në punë, ky incident t’i takojë së kaluarës.

“Unë zyrtarisht jam në pushim vjetor të cilin e kam kërkuar vetë dhe pres nga menxhmenti që t’i japin fund këtij incidenti banal dhe kërkoj të më respektohet kontrata e punës”, thotë Miftari.

Ai thotë se përderisa nuk ka vendim të menaxhmentit, ai do të kthehet dhe do vazhdojë të mbajë pozitën e njëjtë.

Ky nuk është incidenti i parë që ka ndodhur mes tyre. Rast i ngjashëm mes Miftarit dhe Bujupit është shënuar edhe para një muaji e gjysmë, kur edhe ky i fundit kishte marrë vendimin për ta shkarkuar Miftarin nga pozita e ushtruesit të redaktorit përgjegjës.

Sipas Miftarit, i njëjti vendim ishte shfuqizuar menjëherë nga drejtori gjeneral i RTK-së Mentor Shala,  për ta rikthyer Miftarin në pozitën e mëparshme.

Bujupi dhe Shala nuk kanë kthyer përgjigje as lidhur me këtë çështje.

Por Miftari ka besim te menaxhmenti i RTK-së për rregullimin e këtij problemi, ndërsa thotë që ata janë duke e shqyrtuar këtë rast.