Kërkimi i Votave me Fjalën Punë

Motoja e një subjekti politik në garën për zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë e ka të theksuar dhe të shkruar me shkronja të shtypit fjalën punë.

Kjo fjalë po përdoret më së shumti në fushatën zgjedhore për të kërkuar vota.

Partia Demokratike e Kosovës po premton se me fondin për punësim që sipas saj kap shifrën 1 miliard e 500 milionë euro, do të krijojë 200 mijë vende të reja të punës. Këtë e thotë edhe Basri Musmurati i PDK-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

 “Në planprogramin e PDK-së ‘Misioni i ri’ është i specifikuar krijimi i vendeve të punës për secilin sektor”, deklaron Musmurati.

Edhe partia opozitare AAK, me programin e saj “Drejtimi i ri” të ngjashëm për nga emri me atë të PDK-së, premton numër të njëjtë të vendeve të punës gjatë mandatit të mundshëm katërvjeçar.

Ardian Gjinit ky premtim nuk i duket ekzagjerim.

“Ne nuk kemi thënë se do t’i hapim 200 mijë vende pune pa treguar konkret se çfarë kemi për të bërë, pra ne duam t’i fusim në punë minierat, duam t’i fusim në punë energjitë e Kosovës, bujqësinë e Kosovës”, thotë Gjini.

LDK-ja, partia më e madhe opozitare mendon se nëse i jepet besimi i qytetarëve për të qeverisur, do të punësojë 120 mijë persona.

Vjosa Osmani, njësoj si Ardian Gjini, thotë se partia e saj nuk ka bërë premtime pa mbulesë.

“Në programin e LDK-së është arsyetuar secili vend pune. Në këtë program kanë punuar me muaj të tërë ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të bizneseve dhe të shoqërisë civile në mënyrë që ky program të ndërtohet”, thotë Vjosa Osmani.

Por këto tri parti nuk kanë treguar konkretisht se si do të krijojnë këto vende pune. Këtë e ka bërë në mënyrën e saj vetëm Partia e Fortë që ka premtuar 118 mijë vende pune për katër vjet qeverisjeje.

“Një fabrikë e madhe tashmë është projektuar të ndërtohet në Kosovën Qendrore e cila do të ndërtojë pjesë të fabrikave. Pra kjo fabrikë, emrin e së cilës ende nuk e kemi gjetur do të ndihmojë në hapjen e fabrikave të tjera të industrisë së rëndë në Kosovë”, thotë Visar Arifaj nga PF-ja.

Por ka subjekte politike që nuk kanë dhënë shifra konkrete të hapjes së vendeve të punës, edhe pse edhe ato e konsiderojnë prioritet punësimin.

Erzen Vraniqi zëdhënës i “Vetëvendosjes” thotë se Lëvizja do të mundohet ta kthejë Kosovën në një vend prodhues.

“Ne nuk kemi dhënë numra të lartë se sa do t’i punësojmë, sepse numrat janë relativë. Ne nuk mundemi të themi se do t’i punësojmë 50 mijë në vit, apo ma shumë, por ne jemi që të punojmë për t’u ngritur prodhime dhe në bazë të prodhimit rritet numri i të punësuarve”, deklaron Vraniqi.

Edhe Nisma për Kosovën, parti e dalë nga ndarja e Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt nga PDK-ja, e themeluar më 28 shkurt 2014 nuk është ngatërruar në numra të punësuarish.

“Nuk kemi premtuar se sa vende pune do t’i hapim por ne kemi dhënë vizionin se si do të zhvillohet Kosova. Ne kemi vizion për të rritur ekonominë dhe për zhvilluar ekonominë dhe në bazë të këtij vizioni mund zbusim papunësinë”, thotë Endrit Shala nga kjo parti.

As AKR-ja nuk ka premtuar punësim të ndonjë numri të caktuar të punëkërkuesve. Zyrtarë të kësaj partie ende nuk i kanë kthyer përgjigje Gazetën jeta në Kosovë në lidhje me këtë çështje.

Por në programin e partisë së drejtuar nga Behgjet Pacolli thuhet që ky subjekt do të angazhohet deri në punësimin e plotë të të gjithë atyre që kanë nevojë për punë.

“AKR-ja në krye të qeverisë do të zbatojë politika për një ekonomi të zhvilluar dhe krijim të vendeve të reja të punës deri në punësim të plotë të krejt atyre që kanë nevojë”, është shkruar në pjesën e titulluar “Zhvillimi ekonomik si mundësi pune për të gjithë”, në faqen 15 të programit të kësaj partie.

Vraniqi e Shala kritikojnë partitë tjera për numrat e dhënë, sidomos partinë në pushtet.

“PDK-ja e LDK-ja po premtojnë vende pune vetëm për të përfituar politikisht”, thotë Vraniqi i VV-së.

Endrit Shala e distancon Nismën edhe në këtë aspekt nga partia e drejtuar prej Hashim Thaçit.

“Ne nuk bëjmë si Hashim Thaçi se do t’i hapim 200 mijë vende punë gjatë katër vjetëve”, shpjegon Shala.

Premtime përtej imagjinatës

Premtimeve të subjekteve politike për vende pune nuk u besojnë ekonomistët kosovarë. Ata thonë se për t’u punësuar gjithë këta njerëz duhet të ndryshojë radikalisht gjithçka në ekonominë e vendit.
 
“Nuk them se është e pamundur të punësohen edhe 200 mija veta për katër vjet. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë vendit. Mirëpo kjo ofertë nuk mund të akomodohet nëse zhvillimi ekonomik mbetet 4-5 për qind” thotë eksperti ekonomik Ibrahim Rexhepi.

Rexhepi mendon se partitë po i ushqejnë njerëzit me shpresa boshe.

Edhe më i ashpër është Lumir Abdixhiku nga Instituti Riinvest.

 “Për të krijuar 200 mijë vende pune për vetëm katër vjet, Kosova duhet të ketë minimalisht rritje ekonomike vjetore prej 20 për qind, apo shtatë herë më shumë se çfarë ka pasur gjatë dy mandateve të shkuara nën qeverisjen e po të njëjtit kryeministër”, thotë Abdixhiku.

Ai një rritje të tillë e quan të pamundshme.

“A e dini cili shtet ka pasur rritje ekonomike prej 20% në katër vjet rend në gjithë historinë e njerëzimit? Asnjëri, kurrë, asnjëherë. As atëherë kur kanë zbuluar naftë, as atëherë kur kanë shkuar në hënë, e as atëherë kur kanë thyer imagjinatën e arritjeve teknologjike; asnjëherë hiç”, shpjegon Abdixhiku.

Deri në vitin 2013 sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës Kosova kishte 266 mijë e 569 punëkërkues. Sipas ekspertëve ekonomikë brenda vitit në tregun kosovar të punës hyjnë 25-30 mijë veta, do të thotë janë 120 mijë veta për katër vjet.

Nëse në Kosovë brenda një mandati të plotë qeveritar punësohen 200 mijë njerëz, numri i punëkërkuesve do të zvogëlohej përgjysmë.

“Pra, për të bërë një tallje të tillë-realitet, kryeministri në largim- i përcjellë nga shumica e partive opozitare jo vetëm se duhet të shtatëfishojnë performancën e tanishme të Kosovës, por duhet të thyejnë secilin rekord ekonomik botëror të vënë ndonjëherë nga ndonjë shtet”, vazhdon Abdixhiku.

Thyerjes së një rekordi të tillë nuk i beson as Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

“Oda Amerikane u ka shkruar partive politike duke kërkuar nga to që në prioritetet e tyre të caktojnë elementet më substanciale të cilat do të ndikonin në krijimin e një ambienti më të mirë, përmirësimin e imazhit të vendit, rritjen e investimeve të huaja dhe vendore dhe rrjedhimisht krijimin e vendeve të punës”, thotë Zeka.

Ibrahim Rexhepit shifrat e vendeve të punës i lidhen me votat që duan të fitojnë partitë.

Kam një përshtypje se shifra që tregon për vendet e  punës që do të hapin partitë sipas ofertave që bëjnë sikur më shumë tregon sesa vota u duhen atyre partive”, thotë Rexhepi.