Isa Mustafës Nuk i Duhet "Misioni i Ri" (TV)

Bajrush Ymeri u tha simpatizantëve bashkëfshatarë se do të jetë zëri i tyre në parlament nëse arrin të marrë vota të mjaftueshme për një ulëse nën siglën e LDK-së.

“Premtoj se do të jem një zë i juaji i fuqishëm në vendimmarrjen për Kosovën”, tha Ymeri.

Në  mbështetje të tij si dhe për të prezantuar programin e LDK-së para banorëve të Llabjanit  ishte edhe kryetari i LDK-së, i nominuari për kryeministër të Kosovës nga kjo parti, Isa Mustafa.

“Ne do të ndërtojmë infrastrukturë këtu, ne do të ndërtojmë shkolla këtu, ne do të hapim vende të punës këtu”, premtoi Mustafa.

Kryetari i LDK–së pati fjalë edhe për “Misionin e ri” të PDK-së.

“Ne nuk nuk kemi mision të ri, sepse misioni ynë është misioni i presidentit tonë të dashur Ibrahim Rugovës”, tha Mustafa.

Edhe pse tubimet elektorale kanë në qendër shpalosjen e programit, duket se qytetarët e Llabjanit më shumë kishin dalë për të mbështetur ish-kryetarin e tyre.

“Nuk më duhet program sepse i dimë vlerat e tij”, tha Arbenita Llapashtica.

Por kishte edhe qyetarë që ishin të interesuar për programin e LDK-së edhe premtimet e tyre.

Ishalla realizohen ato qe po i flasin”, tha një qytetar që nuk pranoi të identifikohej.