E Akuzuara Shfajëson Enver Berishën e AAK-së

Të martën tregoi rrëfimin e saj për shitjen e veturave që më parë i takonin Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e akuzuara Ardiana Gorani-Begolli.

Gorani-Begolli bashkë me Enver Berishën, pretendentin për postin e kryetarit të Klinës në zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe 2013 si pjesë e subjektit politik AAK akuzohen se gjatë periudhës qershor-gusht të vitit 2010, kanë mashtruar 25 qytetarë nga Peja, duke u shitur vetura pa dokumente.

Këto vetura më parë i takonin Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila sipas aktakuzës më 10 qershor 2010 me anë të një ankandi 308 vetura që më parë i kishte në shfrytëzim, ia kishte shitur për 140 mijë euro një qytetari të Rahovecit.

Më pas gjithnjë sipas aktakuzës rahoveciani 208 nga veturat që i kishte blerë ia shet një banori të Prishtinës.

Ardiana Gorani-Begolli bleu pastaj 204 vetura nga ky person i kryeqytetit me çmimin prej 154 mijë e 900 eurosh.

156 nga këto vetura ishin të padoganuara, ndërsa nga qershori deri në gusht të 2010-ës, Gorani-Begolli në bashkëpunim me Enver Berishën kanë filluar t’ua shesin ato blerësve të ndryshëm me çmimin nga 650 deri në 3 mijë euro.

Gorani-Begolli gjatë fjalës së saj në gjykatë tha të jetë takuar me dy sipas saj zyrtarë të MTI-së-Mirsad Sejdiun dhe Gentrit Deliajn, të cilët tha se e njoftuan që ministria do të shesë një numër të madh veturash.

Ajo tregoi se me këta të dy është marrë vesh që të blejë një pjesë të këtyre veturave, para se të hapej ankandi. Tha se e kishte negociuar çmimin, i cili në fillim ishte një mijë euro për makinë, ndërsa më pas me marrëveshje u arrit që ai të mos shkojë më lart se 650 euro për veturë.

Gorani-Begolli shpjegoi edhe pse ka shitur vetura pa dokumente. Tha se ishte mashtruar nga dy zyrtarët e ministrisë se secila veturë e blerë prej saj i kishte brenda dokumentet.

E akuzuara nuk harroi ta shfajësojë edhe të bashkakuzuarin. Tregoi se me Enver Berishën njihej që nga vitet 2007-2008, por nuk e bëri atë pjesë të tregtisë me makinat.

“I njëjti kur ka dëgjuar se unë kam për t’i shitur këto vetura m’i ka ofrua disa shokë të tij për t’i blerë. Enveri na i ka dhanë disa të holla të cilat normal duhet paguar për t’u tërhequr veturat. Mirëpo ky nuk ka qenë ortak me mua dhe nuk ka pasur kurrfarë përfitimi në këtë shitblerje”, tha Gorani- Begolli për ish-kandidatin e AAK-së për kryetar të Klinës.

Ajo tha gjithashtu në gjykatore se 30 për qind të vlerës monetare për çdo veturë të shitur ia ka dhënë Mirsad Sejdiut.

Seanca e radhës lidhur me ketë rast do te mbahet me 30 qershor 2014 ku mbrojtjen e tij do ta japë i akuzuari Enver Berisha.