Partia Turke Vendos në Prizren Posterë të Ndaluar

Fotografitë e kandidatëve të këtij subjekti politik të vendosura nëpër mbajtëset e ndriçimit publik si dhe në pemët gjelbëruese rreth rrugës, ishin fotografi të formatit B2, format ky i ndaluar me vendim të KQZ-së.

KQZ-ja në vendimin me numër 1128/2014 për ndalimin e publikimit të posterëve promovues të kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të hyrë në fuqi më 27 maj 2014 në pikën e parë nuk lejon përdorimin e posterëve të madhësisë B2.

“Ndalohet publikimi i posterëve promovues të formatit B2 të kandidatëve të subjekteve politike në hapësirat publike, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 8 qershor 2014”.

Ky vendim u mor me shumicë votash nga KQZ-ja. Para dy ditësh për ndalimin e posterëve të formatit B2 votuan gjashtë anëtarë të institucionit që organizon zgjedhjet.

Por ndryshe nga ky vendim, KDTP ka vendosur që t’i publikojë posterët me kandidatë për Kuvend të Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Mahir Jagxhilar, tha për Gazetën Jeta në Kosovë tha se vendimi i KQZ-së, është i paqartë.

“Neve nuk na ka ardhë vendimi i KQZ-së me shkrim. Ne mbrëmë i kemi vendosur posterët, disa prej të cilëve janë të formatit B2, mirëpo këtë vendim për shtypje të posterëve e kemi marrë më herët dhe janë shpenzuar të holla për to”, tha Jagxhilar.

Edhe koalicioni VAKAT është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të mërkurën në ditën e parë të fushatës zgjedhore për ndalimin e posterëve të formatit B2.

Rasim Demiri, kryetari i VAKAT-it, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ky koalicion tashmë ka porositur posterë të formatit të ndaluar.

“Ne kemi kërkuar nga KQZ-ja t’i pranojë këta posterë (B2) ose të na i kompensojë paratë e shpenzuara për posterë”, tha Demiri.

I pari i KDTP-së Jagxhilar tha se partia e tij është e gatshme t’i largojë këta posterë nga Prizreni, nëse këtë e kërkon KQZ-ja.

“Nëse KQZ-ja na njofton që kemi bërë shkelje, atëherë ne jemi të gatshëm që t’i heqim posterët e formatit B2, edhe pse posterët e formateve tjera sërish do të mbesin aty’”, tha Jagxhilar.

Posterë të KDTP-së në Prizren

Kundër partisë së Jagxhillarit është ankuar rivalja e saj nga komuniteti turk-Kosova Turk Adalet Partisi (Partia Turke e Drejtësisë), pasi sipas saj kryesuesit e Këshillave të Vendotimeve në Mamushë që janë emëruar nga KQZ-ja, i takojnë subjektit politik KDTP.

Mulë Desku, zëdhënësi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i tha Gazetës Jeta në Kosovë të mërkurën se ankesat do të shqyrtohen brenda 72 orësh.

Edhe Valdete Daka kryetarja e KQZ-së komentoi ndalimin e postareve të madhësisë B2.

“Ky vendim është marrë për një lloj posteri të madhësisë B2, por nuk i ndalon partitë që me vendosë posterë më të vegjël apo më të mëdhenj”, tha Daka.