Gjykimi i Mulakut në Ditën e Parë të Fushatës

Kryetari i Vushtrrisë Bajram Mulaku bashkë me tre zyrtarë komunalë dhe një person të katërt dolën para gjykatës në veriun e Mitrovicës të mërkurën, në vazhdimin e gjykimit kundër tyre.

Mulaku bashkë me dy drejtorë- Gani Imerin e Shërbimeve Publike e Sami Istrefin e Urbanizmit dhe Bajram Beqirin, shërbyes civil në Drejtorinë e Emergjencave të Vushtrrisë, akuzohen mes tjerash për shpërdorim të detyrës zyrtare, apo autorizimit. Me ta po akuzohet edhe Naser Imeri, vëllai i Gani Imerit.

Ky grup nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohet edhe për pushtim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, mbajtje të armëve pa leje dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës Bajram Mulaku  në shtatorin e vitit 2012 kishte shtruar në kubëza një rrugë lokale nga e cila kishin dalë përfitues vëllezërit e akuzuar me kryetarin e Vushtrrisë Gani  dhe Naser Imeri.

 Gani Imeri në atë kohë asamblist i Kuvendit Komunal po ashtu akuzohet se ka pushtuar prona shoqërore dhe më pas bashkë me vëllain e tij ka ndërtuar tri shtëpi në to.

Bajram Beqiri që para dy vjetësh  ishte drejtor I Inspektoratit, akuzohet se nuk ka ndërmmarë hapa për rrënimin e shtëpive të vëllezërve Imeri, edhe pse paercela ku janë ndërtuar ato është prone shoqërore.

Edhe rruga me kubëza për shtrimin e së cilës akuzohet kryetari Mulaku gjendet në pronën e  Kooperativës Bujqësore “Vushtrria”, gjegjësisht Ndërmarrjes Shoqërore Bujqësore “Elan”.

Seancën e së mërkurës e drejtoi gjyqtarja e EULEX-it Iva Nikshiq, ndërsa prokuror në këtë rast është Charles Hardaway.

Në rast së kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku dhe disa nga vartësit e tij shpallen fajtorë, sipas legjislacionit në fuqi mund të dënohen  prej 1 deri më 8 vjet burg.