Ankesa Që në Ditën e Parë të Fushatës

Rasim Demiri – kryetar VAKAT-it i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ka bërë ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për ndalimin e përdorimit të posterëve të madhësisë B2.

KQZ-ja të martën miratoi me gjashtë vota pro ndalimin e posterëve të formatit B2, me arsyetimin e mosndotjes së ambientit. Demiri i Vakat-it, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se koalicioni të cilit i takon ka porositur tashmë posterë të tillë, para se KQZ-ja t’i ndalojë ata.

Sipas Demirit KQZ-ja vendimin e ka marrë pas orës 16:00 dhe ne atëherë veç i kemi porositur posterët ashtu siq parashihet me ligj.

“Ne kemi kërkuar nga KQZ-ja t’i pranojë këta posterë (B2) ose të na i kompensojë paratë e shpenzuara për posterë”, tha Demiri.

Ankesë të natyrës tjertër dërgoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe Kosova Turk Adalet Partisi (Partia Turke e Drejtësisë). Ajo u ankua ndaj KQZ-së për arsyen se kryesues të vendvotimeve në Mamushë janë emëruar vetëm përfaqësues nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).

Këto dy parti janë rivale në komunën e dominuar nga komuniteti turk. Mamusha qeveriset nga Partia Turke e Drejtësisë, ndërsa opozitë në këtë komunë është Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).

Kryetari i KTAP-së Arif Butuç thotë se partia e tij mund të mos marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk ndryshohet vendimi i KQZ-së për emërimin e kryesuesve të vendvotimeve në Mamushë.

“ Nëse nuk ndërmerren masa për përmirësimin e këtij vendimi jemi të angazhuar sinqerisht dhe po shqyrtojmë mundësinë që si parti t’i bojkotojmë zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 8 qershor “, thuhet në ankesën e kryetarit Butuç.

Mulë Desku, Kryeses i Sekretariatit te PZAP-it e konfirmoi se ka pranuar ankesa nga disa parti.

“Koalicioni VAKAT në Prizren sot ka parashtruar një ankesë kundër vendimit të KQZ-së për ndalimin e publikimit të posterave – madhësi B2, në vendet e shënuara për reklamimin e partive politike gjatë periudhës së fushatës zgjedhore”, tregoi Desku.

Sipas Deskut ankesa e VAKAT-it bazohet në pretendimin se vendimi i KQZ-së për ndalimin e posterëve të madhësisë B2 është në kundërshtim me nenin 44, pikën 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ky nen lejon shpërndarjen e afisheve, reklamave dhe materialit tjeter lidhur me një fushatë zgjedhore.

Desku tregoi edhe për ankesën e Kosova Turk Adalet Partisi (Partia Turke e Drejtësisë) lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshilalve të Vendvotimeve (KVV).

“Paneli brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i pranimit te këtyre ankesave do t’i shqyrtojë dhe do të marrë vendim lidhur me këto dy ankesa në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme” tha Desku.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka e komentoi vendimin e institucionit që drejton për ndalimin e posterëve të madhësisë B2, duke thënë se ai është marrë me shumicë votash.

“Ky vendim është marrë për një lloj posteri të madhësisë B2, por nuk i ndalon partitë që me vendosë posterë më të vegjël apo më të mëdhenj”, tha Daka.

Sipas Dakës edhe posterët B2 mund të vendosen , por vetëm në ato vende ku i cakton komuna përkatëse.