Mjekët Fotografohen me Thaçin, Pacientët Presin për Rëntgen (TV)

I shoqëruar nga bashkëpunëtorët Ferid Agani, Besim Beqaj, Hajredin Kuçi dhe Hajdar Beqaj, Thaçi u premtoi mjekëve dyfishim të pagave, nëse ai rikonfirmohet në postin e kryeministrit për herë të tretë rresht.

Sipas Thaçit, ashtu sikurse mësuesit edhe mjekët për çdo vit do të përfitojnë rritje nga 25 për qind të pagës, deri në vitin 2018.

“Unë nuk premtoj lehtë, por kur të premtoj, unë e marr vendimin”, u tha Thaçi mjekëve.

Me këtë premtim, Thaçi mund t’i ketë gëzuar mjekët, por ata që pësuan në kohën e vizitës së tij në këtë spital ishin pacientët.

Një fëmijë i vogël rreth 10 vjeçar që ishte rrëzuar dhe dyshohej për fraktura në trup, po priste për të bërë rëntgenin, derisa mjekët dhe personeli i spitalit vraponin për të bërë fotografi me mysafirët politikanë.

Prindi i këtij fëmije, i cili nuk deshi të identifikohej për gazetën Jeta në Kosovë, u duk i revoltuar.

“A po e shihni se çka bëjnë mjekët, janë dalë me ba foto me Thaçin, e unë me djalë te sëmurë pres gati qe një gjysme ore “, tha ai.

Kritika ndaj mjekëve dha edhe një grua e moshuar që gjithashtu po e priste radhën në aparatin e rëntgenit, ndërsa një grua tjetër kishte dalë në pizhame nga spitali për të bërë fotografi me kryetarin e PDK-së.

Ndërsa Ministri i Financave Besim Beqaj ra në hall pasi që nuk kishte marrë me vete një laps e fletë për të mbajtur shënime gjatë takimeve.

“A ka kush me ma gjet një laps dhe një fletë“, pyeste ai.

Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani që erdhi në Gjakovë me veturë zyrtare, u prit nga disa punëtore të pastrimit dhe disa infermiere të këtij  spitali.

“Kush nga ju me keni çu SMS më së shumti”, i pyeti Ministri Agani ato.