Shkurtimi i Mandateve për Mandat të Ri

Qeveritë Thaçi I dhe II që nga ardhja në pushtet në vitin 2007 nuk po u shkojnë deri në fund mandateve të tyre.

Qeveria Thaçi I është zgjedhur në muajin nëntor të vitit 2007 dhe ka zgjatur deri në nëntor të vitit 2010, duke u shkarkuar me mocion votëbesimi, një vit para se ta përfundonte mandatin zyrtar.

Qeveria tjetër e këtij kryeministri që nisi punën në shkurtin e vitit 2011 aktualisht është ekzekutiv në largim, pasi në maj të 2014-ës, shumë nga subjektet politike të vendit u dakorduan për shpërbërje të Kuvendit.

Në të dy rastet e mandateve të shkurtuara u organizuan dhe po organizohen zgjedhje të parakohshme, më 12 dhjetor 2010 dhe 8 qershor 2014.

Kosova është një republikë me sistem parlamentar në të cilën konstituimi i Kuvendit nënkupton edhe mandatimin e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar nga partia me më së shumti vota të fituara në zgjedhjet nga rezultatet e të cilave krijohet legjislatura kuvendare.

Sipas nenit 66 të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me një mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë  (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Shkurtim i qëllimshëm, apo i pritshëm i mandateve?

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se kryeministri Thaçi i shkurton qëllimshëm mandatet e tij, për të përfituar mandat të ri qeverisës.

“Nuk ka diskutim Thaçi e ka shfrytëzuar praktikën e shkurtimit, duke shkurtuar mandatin e qeverisë së tij në një moment kur ai kishte planifikuar që mund të nxirrte edhe një mandat qeverisës së tij”, thotë Korenica.

Por shkurtimet e mandateve të qeverive Thaçi, Krenar Gashi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i konsideron të pritshme.

“Duke qenë në pushtet, PDK-ja ka pasur mundësi që të bëjë llogari të detajizuara, duke e ditur përafërsisht se kur i konvenon më së shumti kësaj partie që të mbahen zgjedhjet”, thotë Gashi, duke mos i konsideruar këto shkurtime të paligjshme dhe të këqija, por vetëm ambicie për pushtet.

Selatin Kllokoqi nga instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), thotë se shkurtimi i mandatit të Qeverisë u ka konvenuar të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe ato të opozitës.

“Qeveria përmes bllokimit e ka parë se është më mirë tash për t’u mbajtur zgjedhjet në mënyrë që për t’i fituar zgjedhjet, sesa për të shtyrë mandatin deri në fund”, thotë Kllokoqi.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi thotë se mandatet e shkurtuara nuk u kanë penguar qeverive të drejtuara nga Thaçi që të kryejnë punë.

“Përkundër mandateve më të shkurtuara kanë realizuar punë të mëdha për shtetin”, thotë Selimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ngopja nga partia në pushtet

Fisnik Korenica mendon se shkurtimi i mandateve të qeverive Thaçi, po bëhet për t’i ikur ngopjes së elektoratit me partinë në pushtet që drejtohet nga kryeministri.

“Kjo taktikë e shkurtimit të mëhershëm dhe e shpërndarjes së parakohshme, e dizajnuar 100 për qind nga kryeministri Thaçi, natyrisht është një mundësi për të për ta parandaluar ngopjen e votuesit me qeverisjen e PDK-së, ngopje e cila çdo herë po shkon në rritje”, thotë Korenica.

Por zëvendësministri Petrit Selimi mohon një gjë të tillë.

“Nuk besoj se votuesit janë të ngopur me suksese. Roosevelti ne Amerikë ka pasur të fituara 4 mandate, ndërsa ka shumë liderë evropianë që po ashtu janë në mandatin e tretë”, thotë Selimi.

Ai gjen edhe shembuj të tjerë të qeverisjeve të gjata.

“Presidentët francezë e kanë mandatin 7 vjet dhe me dy mandate i bjen te rrinë nga 14 vjet në pushtet. Krejt varet se si votuesi konsideron se janë shfrytëzuar mandatet e mëhershme”, vijon Selimi.

Shfrytëzimi i resurseve publike

Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se resurset publike dhe parafushata po përdoren për ta nxjerrë më mirë partinë e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme.

“E tërë parafushata ka nisur prej tij [kryeministrit] që me fondin e punësimit, me rritjen e rrogave përkatësisht zhvillimin tërësor të resurseve publike t’i shkojë në favor partisë së tij për ta qitur në një pozicion më pak të disfavorshëm sesa që do ta nxirrte nëse parlamenti dhe qeveria do ta përfundonin mandatin në kohën kushtetuese”, thotë Fisnik Korenica.

Selatin Kllokoqi nga “Demokracia për Zhvillim” (D4D) thotë se fushatë përveç qeverisë po bëjnë edhe kryetarët e komunave.

“Resurset publike po keqpërdoren…nuk është vetëm qeveria, por ajo i ka edhe mundësitë më të mëdha, mirëpo kjo po vërehet edhe te disa qeveri lokale”, shpjegon Kllokoqi.

Petrit Selimi mohon edhe përdorimin e resurseve publike për fushatë.

“Resurset shtetërore përdoren për program dhe mision shtetëror, e jo partiak”, thotë Selimi.