“Vetëvendosja” Fillon me Tatimin (TV)

Tatimi progresiv është oferta kryesore në fushën e ekonomisë me të cilën “Vetëvendosja” pretendon të joshë votuesit potencialë.

Te ky tatim normat e tatimit që duhet paguar shtetit rriten varësisht nga fuqia ekonomike e subjekteve që tatohen. Përcaktimi i normave tatmore bëhet në varësi të të ardhurave që subjektet afariste realizojnë.

Këtë ofertë e prezantuan të mërkurën lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti dhe ish-deputeti i këtij subjekti Visar Ymeri.

“Jemi të bindur se tatimi progresiv është tatim i drejtë në një Kosovë me shumë pabarazi e pak demokraci. Tatimi progresiv do ta zbutë këtë pabarazi”, tha Albin Kurti.

Tatimi progresiv sipas Visar Ymerin do të krijojë një ambient të qëndrueshëm ekonomik.

“Ta krijojmë një mjedis që garanton zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës, e cila duhet të orientohet në prodhim”, tha Ymeri.

Kurti shtoi se pjesën më ta madhe të të hyrave buxhetore e realizojnë shtresa e mesme dhe e varfër e popullsisë,  e me tatimin progresiv këto shtresa do të paguajnë më pak ose fare tatim.

Sipas VV-së ata që kanë të ardhura mujore deri 170 euro nuk do të tatohen.

Por një e moshuar që kishte dalë për të dëgjuar atë që kishin për të thënë aktivistët e VV-së, dukej se nuk e kishte idenë se çfarë paraqiste tatimi progresiv.

“Vetëvendosjen pata qejf me dalë me kqyr çka po na ofron neve”, tha shkurt ajo, duke mos dashur të identifikohet.