Vëzhguesit Vërejnë Fushatë Partiake me Resurse Publike

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar sot se partitë politike në garë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, nuk janë duke e respektuar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kohëzgjatjen 10 ditëshe të fushatës.

Sipas këtij rrjeti të vëzhguesve vendorë, fillimi i aktiviteteve elektorale të subjekteve politike para fillimit zyrtar të fushatës elektorale, paraqet abuzim me paqartësitë ligjore që ka legjislacioni aktual zgjedhor, duke mos i saktësuar masat ndëshkuese ndaj të gjitha atyre subjekteve që fillojnë aktivitete të fushatës elektorale ende pa filluar zyrtarisht ajo.

Anëtari i Bordit të DnV-së, Petrit Zogaj, duke prezantuar raportin me gjetjet e periudhës së parafushatës, u shpreh i shqetësuar edhe lidhur me fenomenin e shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

“Një praktikë e tillë po aplikohet me theks të veçantë nga ana e subjekteve politike që janë në pushtet, edhe pse kjo çështje është e ndaluar me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike”, tha Petrit Zogaj.

Sipas tij, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se në disa qytete punëtorët e administratës publike kanë ndërprerë punën me qëllim të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet elektoral të caktuar. 

“Një veprim i tillë duhet të ndërpritet, sepse bie ndesh me ligjet e aplikueshme në vend”, tha ai.

DnV-ja ka thënë se deri më tani nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi ose shkelje ligjore sa i përket zbatimit të planit operacional nga ana e KQZ-së, ndërsa ndërprerjen e fushatës së informimit publik vetëm disa ditë para zgjedhjeve, e sheh si të dëmshme për procesin zgjedhor.

Zogaj u bëri thirrje subjekteve politike që t’i respektojnë të gjitha aktet normative që rregullojnë sjelljen e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa KQZ-së t’i kushtojë rëndësi të veçantë procesit të trajnimit të komisionarëve.

Ndërsa Valmir Ismajli nga Sekretariati i DnV-së, shpalosi aktivitetet e këtij rrjeti gjatë procesit zgjedhor.

Sipas Ismailit, DnV-ja për monitorimin e aktiviteteve të parafushatës dhe fushatës elektorale ka angazhuar rreth 90 vëzhgues afatgjatë, nga të cilët 30 do të jenë nga organizatat me nevoja të veçanta. 

Kurse gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 2,800 vëzhgues, 350 prej të cilëve do të jenë nga organizatat e personave me nevoja të veçanta, si pjesë e partneritetit me organizatën “Handikos”.

“Demokracia në Veprim” gjithashtu është në partneritet me Fondacionin Soros në fushatën “Voto dhe Vëzhgo” e cila u ofron mundësinë qytetarëve që përmes SMS-ve falas të dërgojnë mesazhe për parregullsitë që hasin gjatë procesit zgjedhor në numrin 500 88.