Daka Takohet me Vëzhgues të BE-së

Zëvendësshefi i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë Marian Gabriel e njoftoi kryetaren e KQZ-së të hënën se vëzhgues nga ky mision kanë nisur vendosjen në Kosovë që nga e diela.

Daka, pasi u uroi mirëseardhje këtyre vëzhguesve, i njoftoi ata detajisht me përgatitjet rreth zgjedhjeve, thuhet në një komunikatë të KQZ-së.

“Përgatitjet janë duke u zhvilluar sipas një dinamike të paraparë me Planin Operacional të miratuar nga KQZ-ja”, u tha Daka vëzhguesve.

Vëzhguesit e BE-së u ftuan që të vëzhgojnë zgjedhjet kosovare të 8 qershorit nga presidentja Jahjaga.

Jahjaga, me 8 maj i kishte dërguar një letër me shkrim përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton, duke e ftuar që ajo të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve.

Baronesha Ashton i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentes Jahjaga, gjithashtu me një letër, më 20 maj.

Në letrën e baroneshës Ashton dërguar presidentes Jahjaga thuhet ajo ka emëruar deputetin e Parlamentit Evropian, Roberto Gualtieri, si udhëheqës të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve.

Roberto Gualtieri këtë detyrë e ka kryer edhe gjatë zgjedhjeve komunale që janë mbajtur vitin e kaluar.

Misioni vëzhgues sipas shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar do të ketë 90 anëtarë. Numër të ngjashëm ky mision kishte edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit e dhjetorit 2013.