Mitrovicasit i Bashkohen Iniciativës për Pastrim (TV)

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”, ka bërë bashkë sot në rajonin e Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë të cilët e duan një Kosovë më të pastër.

Sipas Fahri Jasharit, koordinator i kësaj nisme në Mitrovicë, mbi një mijë vullnetarë  i janë bashkuar aksionit në këtë komunë.

“Numri i qytetarëve që iu kanë bashkuar aksionit ka qenë rreth një mijë, sepse ne kemi përdorur dy metoda të aktiviteteve e që janë e takimet me vullnetarë dhe nxënësit që i kanë pastruar oborret e shkollave dhe hapësirat përreth tyre”, tha Jashari.

Edhe Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave në Mitrovicë “Uniteti” , po vazhdon grumbullimin e mbeturinave që po pastrohen në tri komunat e këtij rajoni- Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

Sipas drejtorit të saj ndërmarrja do ta mbështesë çdo aksion pastrimi.

“Sa i përket çështjes së ambientit dhe iniciativës ‘Ta pastrojmë Kosovën’, kompania “Uniteti” është duke e përkrahë fuqishëm. Edhe pse është ditë e shtunë, punëtorët janë aktivizuar për mbledhjen e hedhurinave dhe se i gjithë arsenali motorik është i gatshëm dhe në përkrahje të iniciativës”, tha drejtori Tahiraj.

Në anën tjetër, njëra nga vullnetaret e këtij aksioni dha arsyet së pse ka dalë sot t’i largojë mbeturinat.

“Sot kemi dalë me pastru në mënyrë vullnetare qytetin tonë Mitrovicën, për arsye së po dojmë ta kemi një qytet më të pastër dhe për shkak të ditës së 24 majit, sepse është bërë traditë e pastrimit” tha Boshnjaku.  

Aksioni që ka  filluar sot në orën 10:00 të paradites ka grumbulluar vullnetarë edhe në qytetin e Vushtrrisë dhe atë të Skenderajt. Sipas koordinatorëve të këtyre qyteteve ata jo vetëm se kanë pastruar po kanë dhënë edhe një mesazh për ambient më të pastër.