Para Gjyqit i Dyshuari Për Vjedhje Mineralesh

Veprat penale sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, i akuzuari Bekim Mala mendohet t’i ketë kryer në lagjen e “Ferronikelit” në Drenas.

Prokuroria e akuzon Malën se nga 28 deri më 30 mars 2011 në këtë lagje, pa licencë dhe në kundërshtim me ligjin, me dashje ka shfrytëzuar burimet natyrore.

Ai ngarkohet se i ka shkaktuar dëm Komisionit të Pavarur për MIniera dhe Minerale, në vlerën e 17 mijë e 556.84 eurosh, duke shfrytëzuar 2 mijë e 518.95 minerale të llojit Rreshpe.

Me këtë rast ai ka kryer vjedhje të rëndë dhe ndotje e shkatërrim të mjedisit.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale  që në këtë rast është palë e dëmtuar është përgjegjës për lëshimin e licencave të eksploatimit të pasurive tokësore dhe nëntokësore të vendit.

Të mërkurën si dëshmitarë u dëgjuan Ismet Gjokiqi dhe Adem Metaj, pasi kamionë në pronësi të këtyre të dyve, ishin gjetur në vendin ku gërmonte për minerale i akuzuari Bekim Mala.

Metaj e mohoi se kamionët janë të tij.

 “Kamionët që janë gjendur aty kanë qenë në pronësi timen deri në vitin 2009, ndërsa nga ai vit unë ia kam shitur Ismet Gjokiqit”, tha Metaj në seancë.

Edhe Ismet Gjokiqi, dëshmitari tjetër e hoqi fajin nga vetja.

“Kamionët e mi janë gjendur në vend të ngjarjes për shkak se ne punojmë në ‘Ferronikel’ për bartjen e dheut dhe shpluarjen e xehes, mirëpo detajet i di djali im Sheremeti, pasi që unë punoj dhe jetoj në Austri”, u arsyetua Gjokiqi.

Prokurori Shkëlzen Ibrahimi propozoi që për seancën e radhës të ftohen si dëshmitarë Shpejtim Mala dhe Sheremet Gjoka.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 23 korrik 2014.