Të Mos Përdoren Metoda Korruptive Për të Fituar Vota

Mesazhet për mbarëvajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit dominuan të premten takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit që të jenë vigjilente në mbrojtjen e votës së qytetarëve.

“Ftoj të gjitha institucionet e përfaqësuara këtu që të jemi vigjilentë dhe të zbatojmë me përpikëri ligjin në çdo rast kur përmes metodave korruptive bëhen përpjekje për të manipuluar me votën e qytetarit”, tha Jahjaga.

Sipas saj, zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme duhet të jenë zgjedhje shembull që e çojnë përpara shtetin e Kosovës dhe të tilla ku qytetarët do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, siç u shpreh ajo, pa frikën e manipulimit të votës së tyre.

Jahjaga, e cila e udhëheq Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, tha se vota e qytetarit duhet të mbrohet fuqishëm  në mënyrë që nga zgjedhjet të dalin institucione të besueshme dhe legjitime.

“Është e domosdoshme që të shmangim pasojat politike që shfaqen nga korrupsioni në zgjedhje, me qëllim që të mos e humbim kredibilitetin  përpara  qytetarëve tanë dhe me qëllim të rritjes së llogaridhënies”, u shpreh ajo.

Edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë kanë dërguar thirrje të njëjta te partitë politike.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve të partive politike të tregojnë përgjegjësi dhe të  na sigurojnë që të kemi zgjedhje kredibile. Parandalimi i keqpërdorimeve është vullnet politik”, tha përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike është çështje kruciale për proceset integruese të Kosovës dhe kjo është posaçërisht e ndërlidhur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, tha Zhbogar.

Sipas tij procesi i liberalizimit të vizave mund të lëvizë vetëm nëse zgjedhjet do të jenë të lira.

 “Zgjedhjet e vjeshtës së kaluar ishin një hap shumë përpara, edhe siç ishte raportuar nga vëzhguesit,  dhe Bashkimi Evropian shpreson dhe pret që zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit të përsërisin suksesin e zgjedhjeve lokale”, shtoi Zhbogar.

Edhe shef I EULEX-it, Bernd Borchart, kërkoi nga partitë politike që t’i shmangin praktikat korruptive gjatë zgjedhjeve dhe të jenë transparente sa i përket financimit gjatë fushatës.

Ai tha se partitë politike janë të obliguara të publikojnë financimet në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Ndërsa ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se mbajtja e zgjedhjeve fer dhe demokratike janë elemente bazë të demokracisë.

Ajo u shpreh optimiste për zgjedhjet e 8 qershorit pasi që duke kujtuar zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, u shpreh se “Kosova ka treguar se mund të ketë zgjedhje të mira”.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Farina tha se KFOR-i është i gatshëm që të ofrojë siguri të mjaftueshme edhe në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

“Ne zgjedhjet e 8 qershorit do të jemi prezentë në shumë zona sensitive dhe do të jemi të dukshëm në zonat e ndjeshme në veri dhe nëse është e nevojshme në të gjitha pjesët e Kosovës”, tha ai.

Kurse zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përmendi ndryshimet në Kodin Penal lidhur me sanksionet e parapara që kanë të bëjnë me abuzimet në votime.

“Ndër ndryshimet esenciale të bëra në legjislacion, përkatësisht me miratimin e Kodit Penal është edhe futja e një kapitulli të veçantë për  veprat penale kundër të drejtave të votimit ku janë paraparë të gjitha shkeljet e mundshme që në një formë apo tjetrën ndikojnë në pengimin e votimit të lirë”, tha Kuçi.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe sigurimi për mbajtjen e zgjedhjeve janë esenciale për Kosovën.