Në Seancë Një Pjesë e “Grupit të Drenicës” (TV)

Gazetari i Jetës në Kosovë raporton se vetëm katër nga shtatë të akuzuarit e “Grupit Drenica janë paraqitur në seancën e së enjtes që po zhvillohet në gjykatën e Mitrovicës Veriore.

Në gjykatore janë Sylejman Selimi, Sabit Geci, Jahir Demaku dhe Avni Zabiti, ndërsa Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, sipas djalit të kryetarit të Skenderajt Mërgimit, i kanë atje vetëm avokatët.

9:52

Protestë Para QKUK-së e Bashkëluftëtarëve të Lushtakut (TV)

Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi një protestë në afërsi të Repartit të Kardiologjisë për të kundërshtuar vendimin e EULEX-it që pjesëtarët e Grupit Drenica t’i dërgojë në qendrën e paraburgimit të Mitrovicës Veriore.

Pjesëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë vendosur një tendë në oborrin e QKUK-së, ndërsa jashtë tendës, në një pankartë të shkruar në gjuhën angleze shkruan “Ata janë heronjtë tanë”, duke iu referuar pjesëtarëve të Grupit Drenica që refuzojnë të shkojnë në qendrën e paraburgimit të Mitrovicës Veriore.

Disa policë para pak çastesh kanë hyrë në këtë tendë për të biseduar me protestuesit, por kur kanë dalë prej saj asnjëra palë nuk është prononcuar për media.

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë raporton se mes protestuesve në tendë dhe policisë nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Në orët e para të mëngjesit veteranët e luftës së UÇK-së kanë organizuar një protestë me parullat “stop drejtësisë selektive” dhe gati secili prej tyre ka pasur të shkruar fjalën jo në gjuhën angleze. 

Veteranët kanë mohuar se Lushtaku, Jashari e Haxha, tre pjesëtarë të “Grupit Drenica” janë në arrati. 

“Ne tani kemi ardhur për ta pamundësuar arrestimin e tyre, pasi në burgun e Mitrovicës Veriore ekziston pasiguri e lartë. Shkaku që nuk është tërhequr vendimi [për t’i dërguar atje] ne kemi ardhur ta pamundësojmë arrestimin e tyre”, tha kreu i OVL të UÇK-së Smajl Elezi.

Në një komunikatë të lëshuar të mërkurën EULEX-i bëri të ditur se nuk po negocion ndryshimin e vendimit për transferim në veri të “Grupit Drenica”.

Për gazetarë foli mëngjesin e së enjtes edhe Mërgim Lushtaku, i biri i kryetarit të Skenderajt.

“Ne do të presim këtu, siç kemi treguar edhe më herët që do t’i mbrojmë që të mos i marrin me dhunë, pasi që ne nuk dëshirojmë që me duar tona t’ua dorëzojmë kriminelëve serbë”, tha Lushtaku.

Të enjten është paraparë seancë gjyqësore në gjykatën e Mitrovicës Veriore për këtë grup. Pjesëtarë të OVL-së së UÇK-së aktualisht po rrinë në grupe brenda hapësirave të QKUK-së.