Policia e Gatshme për Ndeshjen Kosovë-Turqi

Rreth 450 pjesëtarë të policisë së Kosovës do të përkujdesen të mërkurën për mbarëvajtjen e ndeshjes futbollistike ndërmjet kombëtares së Kosovës dhe asaj të Turqisë që do zhvillohet në Mitrovicë.

Drejtori i Policisë për Mitrovicën ka dalë i vetëm para gazetarëve, sado që pjesëmarrjen në të e kishin paralajmëruar edhe organizatorët e ndeshjes.

Nehat Thaçi, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë tha sot në një konferencë për shtyp se policia është mobilizuar për të ofruar siguri për këtë ndeshje, të dytën që Kosova e zhvillon prej se FIFA e ka lejuar të zhvillojë ndeshje miqësore të karakterit ndërkombëtar.

“Rëndësia e ndeshjes futbollistike që do të luhet të mërkurën ka mobilizuar pothuajse tërë stafin e policisë në Mitrovicë. Në ndeshjen Kosovë- Turqi janë angazhuar 450 pjesëtarë të policisë si dhe njësi shtesë rezervë me qëllim që ky eveniment sportiv të zhvillohet në mënyrën më normale të mundshme”, ka thënë Thaçi.

Pjesa rezervë e policisë do të jetë brenda objekteve të saj, por nëse paraqitet nevoja ata do të intervenojnë.

Thaçi ka porositur shikuesit të cilët do të shkojnë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, të mërkurën, që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.

 “’Për shkak të punimeve në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, zhvillimi i shpejtësisë është minimal, 40 kilometra sa ka kjo rrugë marrin kohë 1 orë e 40 minuta dhe për të mos pritur në kolona të gjata, apelojmë te qytetarët që të shfrytëzojnë rrugën alternative Mitrovicë-Skenderaj-Drenas-Prishtinë, më gjatësi prej 70 kilometrash e cila mund të kalohet për 50 minuta”’, ka thënë Drejtori i Policisë në Rajonin e Mitrovicës.

Ai ka shtuar se organeve të rendit të mërkurën do t’u dalin në ndihmë nxënës të shkollave të mesme.

Lojtarët e të dy ekipeve i vizitoi të martën ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj.

Ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare Kosova e kishte luajtur kundër Haitit në shkurt të këtij viti në të njëjtin stadium. Ajo ndeshje kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0.