Negociohet Vendimi Për Transferimin e Grupit Drenica (TV)

19:15

“Tash sapo patëm një takim me kryeprokurorin e përgjithshëm të EULEX-it Jonathan Ratel.  Ai na ftoi, na bëri një ofertë që të arrihet një marrëveshje për të ndryshuar urdhrin për transferimin e “Grupit Drenica” në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën Veriore”, tha Florina Gjinovci.

Sipas saj në këtë qendër ekziston një pasiguri totale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ndërsa Luljeta Gjinovci, avokatja e Sami Lushtakut tha se urdhri për transferimin në Mitrovicën e Veriut është i papranueshëm.

”Dihet se veriu i vendit dhe burgu në veri menaxhohet nga kriminelët serbë’, tha avokatja e Lushtakut.  

Sipas saj nuk është e vërtetë që Lushtaku është arratisur nga spitali.

Djali i Lushtakut, Mërgimi falenderoi mbështetësit e “Grupit  Drenica”,  të cilët kanë qëndruar sot gjatë gjithë kohës në QKUK, për ta kundërshtuar transferimin e tyre.

”Ky urdhër është dhënë nga Beogradi”, tha Mërgim Lushtaku.

18:31

Ministri i Drejtësisë ka shpallur “fitoren” e Partisë Demokratike të Kosovës dhe i ka uruar Hashim Thaçit edhe një mandat si kryeministër në një tubim të kësaj partie që po transmetohet direkt në KTV dhe RTV21, ndërsa nuk ka komentuar gjatë ditës lidhur me ngjarjet në QKUK.

18:22

Jonathan Ratel ka dalë nga takimi me Policinë e Kosovës brenda objektit të QKUK-së, por nuk ka dhënë komente rreth asaj që është biseduar aty.

18:01

Gazetari i Jetës në Kosovë raporton se Prokurori ndërkombëtar i cili drejton Prokurorinë Speciale të Kosovës, Jonathan Rattel, ka hyrë në objektin e Repartit të Kardiologjisë në QKUK, por nuk ka pranuar të flasë për arsyet e ardhjes së tij.

15:24

Lushtaku në Arrati

Tre të akuzuarit nga “Grupi i Drenicës”, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, janë arratisur nga mjediset e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmi për arratisjen e tyre është konfirmuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi

“Sahit Jashari, Ismet Haxha dhe Sami Lushtaku janë arratisur. Kështu jam informuar nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë. Tani ata kalojnë në procedurë të policisë”, tha Shemsi Hajrizi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Policia nuk është përgjigjur në thirrjet e Gazetës Jeta në Kosovë për ta dhënë versionin e vet rreth ngjarjes.

Familjarë të të akuzuarve janë mbledhur para dyerve të Njësisë Koronare të Repartit të Kardiologjisë në QKUK, ndërsa policët po kontrollojnë dhomat dhe mjediset e ndërtesës në kërkim të të arratisurve.

Ata kanë qëndruar me orë të tëra para Njësisë Koronare të Repartit të Kardiologjisë në QKUK duke i bllokuar dyert e repartit.


Në QKUK në korridorin e dhomës ku kurohej Lushtaku

Familjarët e të arratisurve dhe simpatizues të tyre nuk kanë dashur praninë e gazetarëve në mjediset e këtij reparti dhe i kanë nxjerrë ata jashtë me dhunë.

Tre të arratisurit, bashkë me një të akuzuar të katërt, ka muaj që po qëndronin në QKUK, për arsye shëndetësore, në pamundësi të trajtimit nga Qendra Shëndetësore në Burgun e Dubravës.

Arratisja e tyre erdhi në ditën kur EULEX-i vendosi që t’i transferojë ata në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut.

Më herët gjatë ditës, Hajrizi ka thënë të ketë kërkuar garanci nga EULEX-i nëse ekzistojnë kushtet që anëtarët e “Grupit të Drenicës” të transferohen në këtë qendër paraburgimi.

Lushtaku, Jashari, Haxha dhe disa të tjerë, akuzohen nga një prokuror ndërkombëtar i EULEX-it për krime të luftës të kryera në rajonin e Drenicës.

Ata janë në paraburgim tash e një vit.

“Ne kemi kërkuar garancione nga EULEX-i dhe Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë a mundet dhe a ka kushte për me qëndru ata atje. Unë pa këto dy kushte nuk mund të marr vendim për transferim”, tha Hajrizi. 

“Duam garancione për jetën e tyre. Atje janë dy palë kundërshtare dhe nuk mundemi me i dërgu aty. Deri më tash nuk kam asgjë me shkrim”, është shprehur Hajrizi.

EULEX-i ka konfirmuar vendimin për transferimin e të paraburgosurve.

“Ka pasur vendim per transferim nga QKUK-ja në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut nga gjykatësi i EULEX-it”, tha Blerim Krasniqi,  zëdhënës i EULEX-it. 

Ai është shprehur se Shërbimi Korrektues nuk mundet të kërkojë garancione nga gjykatësi.

Ndërkohë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hequr nga vetja çdo përgjegjësi për vendndodhjen e Lushtakut, Haxhës dhe Jasharit.

“Nuk jemi përgjegjës për këtë punë. Është përgjegjësi e Shërbimit Korrektues dhe Policisë”, tha Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

Avokati mbrojtës i Sahit Jasharit, i kontaktuar nga  Gazeta Jeta në Kosovë ka deklaruar të mos jetë në dijeni për arratisjen.

“Nuk kam asnjë njohuri për këtë”, tha avokati Tahir Rrecaj. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Rrustem Rukollin, koordinatorin e mbrojtjes së Sami Lushtakut, por ai nuk ka qenë i gatshëm të flasë.

Gjatë luftës, Sami Lushtaku ka qenë komandat i Zonës Operative të Drenicës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2007, ai është zgjedhur kryetar i Komunës së Skenderajt, pozitë në të cilën është rikonfirmuar edhe në zgjedhjet për kryetar të komunës në vitet 2009 dhe 2013, kur kishte kandiduar në emër të PDK-së.

Por kjo parti nuk ka komentuar ende rreth arratisjes së Lushtakut.

Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk është në dijeni për “arratisjen” e Lushtakut nga QKUK-ja.

“Jo, lidhje nuk kam, a nuk është ai në burg, a?”, ka pyetur Musmurati gazetaren e Gazetës Jeta në Kosovë, kur është thirrur për të komentuar zhvillimet e reja.

Përgjigje në interesimin e gazetës nuk ka kthyer ende as Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i PDK-së.

Ndërsa, arratisjen e tre të akuzuarve e ka komentuar menjëherë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Vjosa osmani, ka akuzuar PDK-në në qeveri për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në vend.

“Për shkak të ndikimeve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në sistemin juridik të vendit, ndodhin edhe akte të tilla. Ky është një prej shembujve më eklatantë. Ne si LDK vazhdimisht e kemi ngritur zërin për raste të tilla”, ka thënë Osmani.