Pastruesit e Pyjeve Prenë Dru Jashtë Kontratës

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë Muharrem Kilaj dhe Naser Tolaj nga kompania NTSh “Pobërgja” më 10 maj 2012 prenë jashtë kontratës 26.60 metra kub të breut dhe hormoqit, duke i shkaktuar dëme Komunës së Deçanit në vlerën e 3 mijë e 990 eurove.

Të dy po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, apo autorizimit dhe për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Kompania NTSh “Pobërgja” ka fituar kontratë për pastrimin e pyjeve të kësaj komune.

Dëmin e vërtetuan të hënën para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Sali Berisha dhe anëtarët Prenk Palushaj dhe Ahmet Rexhaj edhe inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë që ishin të pranishëm në gjykatore si dëshmitarë.

Agim Hulaj, inspektor i Pylltarisë dhe Përpunimit të Drurit në Ministrinë e Bujqësisë tha se operatori i kontraktuar nga komuna për pastrimin e pyjeve nuk i është përmbajtur kontratës.

“Në muajin qershor dhe  korrik te vitit 2012 kemi bërë një inspektim në ngastrat te cilat i ka tenderuar ky operator dhe aty kemi parë që ka prerje ilegale, pra ka prerje edhe jashtë kontratës dhe pas kësaj ne kemi formuar një komision ne krye me Haki Tahirukajn për të verifikuar  këtë”, shpjegoi dëshmitari Hulaj.

Hulaj u pyet nga i akuzuari Naser Tolaj se a e dinte se kush i kishte prerë pyjet e Deçanit.

“Unë s’e di kush e ka bërë atë prerje, ju si operator, apo prerësit ilegalë, por prerja është bërë“, u përgjigj dëshmitari.

Edhe dëshmitarët tjerë të së hënës verifikuan prerjet, por thanë se nuk e dinë kush i ka bërë ato.

“Ne gjatë inspektimit kemi parë prerje ilegale në ngastrat e tenderuara dhe ne nuk e dimë se kush i ka bërë këto prerje, por e di që tender në ato ngastra ka pasur një operator ekonomik me  drejtor Naser Tolajn”, tha dëshmitari Ardian Millaku.

Në gjykatore dëshmoi edhe Haki Tahirukaj që ishte në krye të komisionit për verifikimin e dëmeve në ngastrat pyjore të mbikëqyrura nga NTSh “Pobërgja”.

Ai tha se inspektimi është bërë me praninë e operatorit ekonomik të kontraktuar për pastrimin e pyjeve.

“Gjatë inspektimit ne i kemi regjistruar edhe trungjet e viteve te mëparshme, pra ne kemi bërë regjistrimin komplet te ngastrave dhe me siguri aty ka pasur edhe trungje te thata”, u përgjigj Tahirukaj.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve dhe me propozim te prokurores, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 6 qershor 2014 ne orën 11:00.