Kryetarja e AGPK-së Jep Dorëheqje

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) Liridona Lluka-Gashi nëpërmjet një njoftimi tregoi se jep dorëheqje nga pozita në të cilën ishte zgjedhur vitin e kaluar.

Vendimi i Lluka-Gashit u bë publik, pak orë pasi disa kolegë të saj nga Asociacioni, punëtorë të njohur medialë të vendit, kërkuan mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për zhbllokimin e punës së AGPK-së.

“Në aspektin personal ka qenë një kënaqësi të punoj dhe përfaqësoj komunitetin e gazetarëve gjatë këtyre muajve. Ju faleminderit për miqësinë dhe mundësinë që më dhatë të shërbeja me aq sa pata mundësi për ju”, thuhet në njoftimin e Lluka-Gashit.

Gazetarët- kundërshtues të mënyrës se si drejtoi Lluka-Gashi organizatën e tyre, krijuan të shtunën edhe këshillin iniciues për mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm, duke e akuzuar Lluka-Gashin për politizim të AGPK-së.

Tashmë ish-kryetarja akuzat e tilla i quajti shpifje

“Edhe përkundër shpifjeve dhe etiketimeve të pabaza unë do të punoj dhe angazhohem edhe më tej në profesionin që kam zgjedhur dhe për të cilin kam investuar në kohë dhe shkollim”, sqaroi Lluka-Gashi.

Ajo nga pozita e së dorëhequrës, u bëri thirrje anëtarëve të AGPK-së për organizimin e kuvendit të ri zgjedhor të organizatës.

“U bëj thirrje anëtarëve të AGPK-së që të organizohemi për Kuvendin e ri zgjedhor për Kryetarin/en dhe anëtarët e rinj të AGPK-së, që do të mbahet me datë 29 qershor 2014”, tha më tutje Lluka-Gashi në letrën e saj të dorëheqjes.

Këshilli iniciues për mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të AGPK-së paralajmëroi se nga e hëna nëpër redaksi do të kërkojë votën e anëtarëve të Asociacionit për nismën e prezantuar.

12:02

Kuvend i Jashtëzakonshëm për Zhbllokim të AGPK-së

Gazetarë të medieve kosovare pralajmërojnë një kuvend të jashtëzakonshëm nga fundi i majit me qëllim të zhbllokimit të punës së Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Ata akuzojnë kryetaren e Asociacionit për politizim të organizatës që drejton.

Një grup gazetarësh të medieve kosovare, pjesë e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës paralajmëruan të shtunën me anë të një komunikate mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për zhbllokimin e punës së organizatës.

Ata e konsiderojnë të politizuar kryetaren e AGPK-së Liridona Lluka-Gashin, të zgjedhur në këtë pozitë, prillin e vitit të kaluar për një mandat dyvjeçar, ndërsa për organizimin e kuvendit kanë krijuar një këshill iniciues.

Lluka-Gashi nuk i është përgjigjur interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë për ta komentuar këtë nismë të kolegëve të saj.

“AGPK-ja i është nënshtruar edhe politizimit nëpërmjet kreut të saj, gjë kjo e evidentuar edhe në raporte kredibile ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Këshilli iniciues për kuvendin e jashtëzakonshëm e akuzon kryetaren e  organizatës edhe për heshtje kundrejt sulmeve të fundit të punëtorëve medialë në Kosovë.

“Vetëm në këtë muaj janë sulmuar fizikisht Kushtrim Tërnava (Gazeta Express), Vlora Dervodeli (Klan Kosova), Musa Mustafa (Koha Ditore), Kushtrim Gashi (Kosovapress) dhe Drita Vitia (Kosovapress). Asnjë reagim publik nuk ka pasur AGPK-ja”, shpjegon komunikata.

Si arsye tjetër pse këshilli iniciues dëshiron kuvend të jashtëzakonshëm është përmendur paralizimi i punës së AGPK-së.

“Iniciativa është marrë pas paralizimit të punës së AGPK-së dhe pamundësisë që organizata t’i realizojë qëllimet dhe aktivitetet e saj, të përcaktuara me Statut. Të gjithë anëtarët e Bordit janë dorëhequr, ndërsa ka munguar iniciativa e kryetares për ta funskionalizuar Bordin me anëtarë të rinj”.

Kur u zgjodh në prill 2013 në krye të AGPK-së, Liridona Lluka pati vetëm katër vota më shumë se kundërkandidati Vehbi Kajtazi, gazetar i “Kohës Ditore”.

Këshilli iniciues për kuvend të jashtëzakonshëm njofton në komunikatë se që nga e hëna do të qarkullojë nëpër redaksi në mënyrë që anëtarët e AGPK-së të kenë mundësi ta nënshkruajnë kërkesën një kuvend të tillë.

Kuvendi parashikohet të mbahet më 26 maj.

Këshillin iniciues e përbëjnë: Arsim Halili,  Shkëlqim Hysenaj, Fidan Rama, Besnik Krasniqi, Leondard Kerquku,  Serbeze Haxhiaj, Arta Berisha, Arton Mulliqi, Muhamet Hajrullahu, Alban Selimi , Alban Muhaxheri dhe Jeton Llapashtica.