Të Mbijetuarit të Pakënaqur në Përvjetorin e Masakrës

Në mëngjesin e 14 majit 1999 kur forcat serbe sulmuan fshatin Qyshk, Rexhë Rexhepi dhe tetë fshatarë të tjerë u detyruan të hyjnë në shtëpinë e një fqinji të tyre. Tetë nga ta u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Vetëm Kelmendi iu shmang vdekjes.

 “Unë vetëm dëgjova të shtënat”, kujton Kelmendi, duke qëndruar në kopshtin e shtëpisë nga i cili arriti të arratisej 15 vjet më parë. “Shikova shpejt nga dritarja, kështu që grumbullova gjithë forcën time dhe ika duke dalë nga ajo”, tregoi mënyrën e shpëtimit ai.

Shtëpia ka mbetur e braktisur që nga ajo kohë. Familja që jetonte në të ndërtoi një shtëpi tjetër në vend të saj, duke e lënë shtëpinë e saj të vjetër si një memorial të fuqishëm të dhunës së tmerrshme të majit 1999.

Sulmi në Qyshk, afër qytetit të Pejës ishte një nga më brutalët e forcave serbe gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s që kishin për qëllim përfundimin e konfliktit në pranverën e vitit 1999.

Sipas fshatarëve më së paku 50 ushtarë morën pjesë në operacionet e djegies së shtëpive plaçkitjes së banorëve dhe vrasjes së më shumë se dyzet personave.

Nëntë ish-anëtarë të Njësisë Intervenuese 177 të Ushtrisë Jugosllave u dënuan në Beograd në shkurtin e këtij viti, për përfshirje në dhunën në Qyshk dhe tri fshatrat e afërt, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq.

Ish-komandanti i Armatës Jugosllave Toplica Mlladenoviq u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e njësisë së komanduar nga Nebojsha Miniqi që të nisë sulmin, derisa ushtarët tjerë të kësaj njësie morën dënime nga 2 deri në 20 vjet.

Kelmendi tha se mendon që dënimet janë të ulëta.

 “Nëse ka drejtësi në botë, ata duhet të sillen për t’u gjykuar në Kosovë…dënimet që morën nuk janë asgjë”, tha ai.

“Është turp ajo çfarë bënë gjykatësit… nuk e di si mund të lejojë ndërgjegjja e tyre shpalljen e dënimeve të tilla”, shtoi i mbijetuari.

Një monument që nderon njerëzit që humbën jetën atë ditë është vendosur në qendrën e fshatit, por Kelmendi thotë se Qyshku asnjëherë nuk do ta marrë veten nga sulmi.

I mbijetuari tjetër Ardian Kelmendi që në vitin 1999 kishte 18 vjet, rikujton se si ushtarët serbë në fillim e vunë atë në grupin e burrave që më vonë do të pushkatoheshin, duke përfshirë edhe babanë dhe kushërinjtë meshkuj të tij.

 “Ata ma morën orën…ata më rrahën. Ishte e tmerrshme”, tha ai. Pasi qëndroi në rresht me burrat tjerë njëri nga ushtarët e hoqi atë nga grupi dhe ai më pas u dërgua në një oborr ku ushtarët kishin mbledhur gratë dhe fëmijët.

 “Ishte hera e fundit që e pashë babanë të gjallë”, tha Ardian Kelmendi.

Vrasësit ishin ushtarë, jo paramilitarë.

Kelmendi gjithashtu tha se beson që drejtësia nuk është arritur pavarësisht dënimeve në Beograd.

 “Ata kryen krim kundër njerëzimit, vetëm Serbia nuk dëshiron ta pranojë këtë. Krimet janë kryer nga shteti serb dhe nuk janë paramilitarët që i bënë ato-ata nuk kishin mundësi të bënin një krim kaq të madh”, shpjegoi ai.

Të gjithë të dënuarit, përveç komandantit Milladinoviq, fillimisht u akuzuan si pjesëtarë të grupit paramilitar “Çakejtë”. Aktakuza më vonë u ndryshua, sepse u vërtetua gjatë gjykimit se të gjithë të akuzuarit shërbenin në Armatën Jugosllave.

Duke shpjeguar vendimin, gjykatësja kryesuese Snezhana Nikoliq-Garotiq tha që ushtarët nuk ishin “ anëtarë të njësive paramilitare, ata nuk ishin ‘Çakejtë’, ishte ushtri e rregullt”.

I mbijetuari tjetër i vitit 1999 në Qyshk, Erzen Lushi që dëshmoi gjatë gjykimit në Beograd, tha që ka ndjenjën që gjykata serbe u mundua ta hedhë poshtë rëndësinë e krimit.

Ai tha se të tjera figura të larta duhet të ndiqen penalisht.

 “Do të ishte mirë që gjithashtu të ndiqet penalisht komandanti i regjionit të Pejës, sepse ne të gjithë e dimë se komandanti i njësisë Nebojsha Miniq e kishte atë dorë të djethtë”, tha Lushi.

Ai i referohej Boro Vllahoviqit, kreut të policisë në Pejë gjatë luftës që ishte ftuar si dëshmitar në gjykim. Në dëshminë e tij ai mohoi se kishte kontroll ndaj asaj që ndodhi në Qyshk, duke insistuar se Ushtria Jugosllave ishte përgjegjëse për veprimet ushtarake.

Sipas dokumenteve ushtarake të prezantuara gjatë gjykimit, Skuadra Intervenuese 177 ishte nën komandën e Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave.

Milladinoviq, komandanti i Njësisë Reaguese 177 gjithashtu pohoi gjatë gjykimit se pranoi urdhra nga Brigada 125, siç thanë edhe dëshmitarë tjerë si ish-komandanti i ushtrisë Dushko Antiq.

Përkundër kësaj, sidoqoftë, komandanti i Brigadës 125- gjenerali Dragan Zivanoviq, as nuk u ftua që të dëshmojë edhe pse ai pati thënë më herët se ishte përgjegjës për Brigadën 125.

Për vendimin e rastit të Qyshkut aktualisht janë ankuar edhe prokuroria, edhe mbrojtja.

Fshatarët thonë se kur vendimi të jetë përfundimtar ata do të vendosin nëse do të kërkojnë kompensim nga Serbia.

 “Duhet ta analizojmë këtë me familjet tjera në fshat”, tha Kelmendi. “Pas gjithë këtyre vjetëve paratë nuk vlejnë aq shumë për ne. Ne jo vetëm që mbetën pa shtëpitë tona, por edhe humbëm anëtarë familjesh”, shtoi ai.

Ky shkrim u botua së pari në Balkan Transitional Justice