Sytë e Serbëve Kah Beogradi Para Zgjedhjeve

Marko Jakshiq, analist serb nga veriu i Kosovës tha se “dalja në zgjedhje do të jetë më e ulët nëse Beogradi nuk u bën presion serbëve të Kosovës siç pat bërë për zgjedhjet e 17 nëntorit”.

Ai po u referohej zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në Kosovë e në të cilat pjesëmarrja e serbëve ishte dukshëm më e madhe sesa në zgjedhjet e kaluara që tradicionalisht ishin bojkotuar.

“Beogradi do të ketë një ndikim në daljen e serbëve në zgjedhje, nëse u bën presion atyre, por serbët e rëndomtë janë më shumë ithtarë të bojkotimit, sesa të pjesëmarrjes në zgjedhje”, u shpreh Jakshiq.

Thirrjet për bojkot që politikanët në Serbi u kishin bërë serbëve kosovarë që nga shpallja e pavarësisë u zhdukën në prag të zgjedhjeve të fundit lokale, ndërsa u kërkohej pjesëmarrje sa më masive në proces.

Lista ‘Srpska’ e mbështetur nga Beogradi, e cila korri sukses në shumicën e komunave të dominuara nga serbët, aktualisht është duke udhëhequr negociatat për krijimin e një liste të përbashkët serbe për të garuar “të unifikuar” në zgjedhjet e ardhshme.

Nexhmedin Spahiu, analist politik u shpreh optimist për suksesin potencial të partive serbe në këto zgjedhje.

“Nëse 80.000 mijë serbë dalin në zgjedhje, nuk do të jenë 13 deputetë serbë, por do të jenë 25-26 apo më së paku 20 deputetë”, tha ai.

Që nga viti 2008, Kuvendi i Kosovës ka pasur 20 ulëse të rezervuara për komunitetet minoritare.

Nga këto, dhjetë janë të garantuara për komunitetin serb e dhjetë të tjerat për komunitetet tjera pakicë. Ulëset shtesë të fituara përmes zgjedhjeve u shtoheshin këtyre ulëseve.

Por, plani i Ahtisaarit parasheh që praktika e ulëseve të rezervuara të mbarojë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Alesandër Stojanoviq, kreu i Organizatës Joqeveritare “Qendra për Zhvillim të Mjediseve  Lokale” në Mitrovicë tha se heqja e ulëseve të rezervuara për minoritetet ishte “një gabim”.

“Unë mendoj se kjo ka dëmtuar demokracinë. Zvogëlimi i numrit të mandateve për minoritetet në parlament shpërfaq një lloj mesazhi se ato [minoritetet] nuk janë të mirëseardhura në Kosovë”, tha ai.

Deri më tani nuk dihet ende sa parti serbe do të garojnë për zgjedhjet e 8 qershorit. Afati i fundit për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve skadon më 16 maj.