Dënohet Për Vjedhjen e Parave të Ndihmave (TV)

Kundër të akuzuarit për vjedhje të rëndë Blerim Krasniqit, Gjykata Themelore e Pejës-dega në Deçan të hënën mbajti shqyrtimin fillestar, duke dhënë për të në të njëjtën ditë edhe aktgjykimin dënues.

Pasi prokurori Ardian Hajdaraj lexoi aktakuzën, i pandehuri u pyet nga gjyqtari Sulltan Dobraj se si ndihej.

Krasniqi që akuzohet për marrjen e parave të destinuara për humanitet në dy barnatore të komunës së Deçanit e pranoi fajësinë për të dy rastet e vjedhjes.

“ Ndihem fajtor për akuzën e parë të 16 janarit 2013 dhe e pranoj fajësinë që më vihet në barrë nga prokuroria “ deklaroi i pandehuri.

Të njëjtën fjali e përsëriti, kur u pyet nga gjykatësi për rastin e vjedhjes tjetër të ndodhur më 25 janar të vitit 2014.

Sipas aktakuzës tashmë i dënuari Krasniqi më 16 janar të vitit 2013 rreth orës 14:00, në Deçan te barnatorja “ Blerta “ kishte vjedhur arkën me të holla. Arkë kjo që ishte destinuar për ndihmë shërimit të nxënëses Diellza Nimani, tani e ndjerë.

Ai në barnatore i kishte kërkuar shitëses një aparat për matjen e tensionit të gjakut dhe kur punëtorja e barnatores ishte larguar për ta kërkuar aparatin, Krasniqi kishte marrë arkën me rreth 100 euro, duke ikur me vrap.

Ai pak më shumë se një vit më pas e kishte përsëritur veprën penale të vjedhjes së rëndë, përsëri në mënyrë të ngjashme.

“ Po ashtu i pandehuri Blerim Krasniqi akuzohet se me 25 janar të viti 2014 rreth orës 18:30 në një barnatore në fshatin Carrabreg të Deçanit, me qëllim qe vetes t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme, ka marrë arkën e qelqit me të holla të destinuara për humanistët”, përshkruhej rasti i dytë i vjedhjes në aktakuzë.

Pasi i akuzuari pranoi fajësinë, paneli i gjykatësve u tërhoq për ta marrë vendimin. Pas dhjetë minutash gjyqtarët u kthyen në seancë dhe dënuan Blerim Kraniqin me nga 1 vit burg dhe 1000 euro gjobë për secilën nga veprat e vjedhjes.

Por gjykata në aktgjykim bëri unifikimin e dënimeve për të dy vjedhjet, duke ia zvogëluar për gjashtë muaj të dënuarit qëndrimin prapa grilave.

“ Kjo gjykatë për akuzën e parë te akuzuarin e dënon me dënim me gjobë në shumë prej 1000 eurosh dhe  një vit burgim, po ashtu edhe për akuzën e dytë e dënon me dënim me gjobë në shumë prej 1.000 eurosh dhe dënim me burgim prej një viti, mirëpo gjykata bën unifikimin dhe si dënim te përgjithshëm i jep [të akuzuarit] dënimin me gjobë prej 2.000 eurosh, dhe dënim me burg prej 18 muajsh “