Me Protestë Duan Kthimin në Punë (TV)

U nisën në një marsh protestues nga objekti i Komunës së Suharekës drejt ndërmarrjes “Agro-Kosova Holding”, ata që ishin pjesë e kësaj ndërmarrjeje kur ajo kishte emrin NBI “Suhareka”.

NBI “Suhareka”, e privatizuar nga AKP-ja në vitin 2006, para se t’i hynte këtij procesi prodhonte me tonelata verë dhe produkte të rrushit.

Edhe pse atëherë u privatizua me spin-off special, një mënyrë privatizimi që nuk lejon ndërrimin e destinimit, ndërmarrja sipas punëtorëve u shkatërrua sistematikisht.

Para dyerve të ndërmarrjes që ndryshoi emër bashkë me privatizimin, dikur drejtori i ish-NBI “Suharekës” Sedat Kuqi, shpalosi qëllimin e protestës.

“Ne sot kërkojmë mu kthye në vendin e punës dhe të fillojmë të punojmë, po ja çka të bësh që i kem vëllezërit tanë, ne s’kemi dorë ndaj tyre, po me siguri edhe këta nuk kanë dorë ndaj nesh”, tha Kuqi, duke treguar policët që nuk i lejonin të hynin në hapësirat e ndërmarrjes.

Arsim Berisha, komandant i Stacionit Policor të Suharekës u mundua t’ua sqarojë të tubuarve se pse policia ishte aty.

 “Kjo është një pronë private dhe ne jemi të thirrur për me mbrojt jetën e qytetarëve, pasurinë dhe pronën private, mu po me vjen shumë keq, ju i shprehët pakënaqësitë e juaja, por në pronë nuk ju lejohet me hy”, u tha Berisha protestuesve.

Edhe kryetari i Sindikatës së ish-punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje Malush Sopa tha se të mbledhurit duan vetëm kthimin në punë.

“[Po protestojmë] me arsyen m’u kthye në punë, arsye e vetme, këta nëse e kane me ligj me mbrojtë le ta mbrojnë, unë e di që s’ka ligj”, tha Sopa.

Punëtorët-protestues dhe këta ish-zyrtarë të KBI “Suharekës”, nuk e njohin drejtorin e tashëm të kësaj kompanie, pasi sipas tyre ai nuk i ka plotësuar kushtet e vëna nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbësimit, tash AKP-ja.

“Këta nuk janë blerës”, thotë për privatizuesit e ndërmarrjes ish-drejtori i saj Sedat Kuqi, teksa kryesindikalisti Sopa shpjegoi se blerësit nuk i kanë përmbushur kushtet e caktuara të privatizimit.

“Këtu nuk ka as pronar,  ky është uzurpim, pronarët jetojnë në Itali a pale ku jetojnë, këtu nuk ka asnjë punëtor, nuk është përmbushë asnjë kriter, 350 punëtorë ka dhen që do t’i punësojë. Për 7 vjet, 40 milionë euro dëm ka ba”, thotë Malushaj.

Protestën e sotme e komentoi për Gazetën Jeta në Kosovë edhe Shaban Tafa, koordinator i “Agro-Kosova Holdingut”.

 “Shumica e atyre punëtorëve mua me sa më treguan janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, janë duke punuar ende në ndërmarrjen tonë, mirëpo janë angazhuar dhe kanë bë një protestë të tillë që unë nuk e di se sa është e arsyeshme”, tha Tafa.

Ish-drejtori Kuqi kërkoi gjatë protestës që të verifikohet blerësi i ndërmarrjes.

“Ne po kërkojmë prej gjykatave edhe prej institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të na dëshmojnë që ky zotëri është blerës i përhershëm, po ky as i përkohshëm nuk është, se lere ma i përhershëm. Nëse ka dëshmi që na ia argumenton që është blerës i përhershëm, ne si kem ardhë edhe kthehemi”, tha Kuqi.

Koordinatori i “Agro-Kosova Holdingut”, tregoi se po përfundon procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

 “Po ashtu edhe Agro-Kosova është privatizuar dhe është në përfundim të mbylljes së spin-offit special, meqenëse marrëveshja e zotimit është përmbyllë në tërësi”, sqaroi Shaban Tafa.

Ndërmarrja u privatizua në valën e 19-të të privatizimit nga “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe Qendra e Mobilieve Italiane “QMI”, ndërsa sipas ish-AKM-së periudha e zotimeve i ka përfunduar më 27 gusht 2009.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në vitin 2011 kur punëtorët e ish-NBI “Suharekës” u vendosën me tenda pranë hapësirave të ndërmarrjes, raportoi se politika ishte përzier në privatizimin e kompanisë së verërave.

Njëra nga parullat e punëtorëve-protestues lidhej pikërisht me këtë emision.

“ E drejta jonë fitoi dhe kulmoi edhe në emisionin e RTK-së, Drejtësia në Kosovë, për NBI Suhareka”, thuhej në këtë parullë.

Ndërmarrja në kohën e saj të artë prodhuese kishte në pronësi 1 mijë e 170 hektarë, 700 prej të cilëve të mbjellë me rrush.