Protestuesit e Hades Vijnë Para Komunës (TV)

Banorët e mbetur në fshatin Hade, erdhën para Komunës së Obiliqit për të kërkuar largimin  e tyre prej këtij vendbanimi, pasi rrezikohen nga mihjet sipërfaqësore të KEK-ut.

 “Jemi detyruar të vijmë të protestojmë të qetë dhe t’i bëjmë thirrje nga këtu kuvendit komunal, pikërisht kryetarit që të merret me problemin e Hades më seriozisht, e jo ma më fjalë, me llafe dhe dallavere sikur pushteti i mëparshëm”, tha Ragip Grajçevci banor dhe përfaqësues i fshatit Hade.

Ai më pas paraqiti kërkesat e protestuesve. Ata duan rrymë dhe ujë njëzet e katër orë, lirim nga të gjitha taksat komunale dhe përcaktimin e parcelave të shtëpive që janë të ndërtuara që tridhjetë vjet.

“Duam rrymë dhe ujë 24 orë, meqë jemi shpallur zonë me interes, duam të lirohemi nga të gjitha tatimet sa i përket komunës, duke filluar nga tatimi në pronë, taksat tjera komunale, duam përcaktimin e parcelave të shtëpive që janë të ndërtuara që 30 vjet”, tha Grajçevci.

Në vitin 2004, Qeveria a atëhershme kishte vendosur që të largonte banorët e fshatit Hade në Obiliq, duke e shpallur zonë me interes nacional dhe njëherësh të rrezikshme për banim për shkak të mihjes sipërfaqësore.

Në atë kohë banorët nga pjesët më të rrezikuara të Hades u zhvendosën në një lagje të fshatit Shkabaj, mes Obiliqit e Prishtinës.

Ministri i Mjedisit Dardan Gashi thotë se një pjesë e kësaj zone nuk është shpronësuar, për arsye se banorët kanë ndërtuar aty edhe pasi është shpallur zonë me interes të veçantë.

“Një pjesë tjetër e cila është shpallur zonë me interes të veçantë prej qeverisë nuk është shpronësuar ende. Kanë filluar të ndërtojnë njerëzit pa leje dhe ua kemi sqaruar atyre edhe komunës që ato shpi që janë ndërtuar pasi është shpallur zonë e interesit të veçantë nuk do të shpronësohen”, shpjegon Gashi.

Por Florim Grajçevci, banor i fshatit Hade i cili kishte dalë në protestë, tha se institucionet kur kanë pasur nevojë, kanë ardhur dhe e kanë shpronësuar pjesën e fshatit Hade qysh në vitin 2004.

“Ata e kanë shpallë zonë me interes dhe me rrezikshmëri të lartë permanente dhe i kanë zhvendosur me dhunë ata banorë në 2004. Ata janë zhvendosur me dhunë jo që nuk kanë dashur për t’i lëshuar pronat, por problemi është se asnjë kërkesë nuk ua kanë plotësuar”, tha ai.

Edhe Ragip Grajçevci, përfaqësues i banorëve tha se janë sakrifikuar për qeverinë komunën dhe Ministrinë e Ambientit.

“Duke mos u marrë askush me neve, duke na lënë pa troje, pa toka, pas shtëpi, pa pronësime,… ne ende kemi mbetur aty ku jemi të rrethuar si një oazë, ku përditë KEK-u zhvillon aktivitetet e veta me gërmim, pluhur, tym, djegie të thëngjillit, lirim të gazrave dhe makineri të rëndë që punon aty”, u ankua Grajçevci.

Dislokimi i banorëve të Hades planifikohej të bëhej në tri faza, ndërsa atyre duhej t’u kompensoheshin shtëpitë dhe pronat.

Dardan Gashi mendon se ministria e ka kryer punën e saj.

“Ministria i ka kry obligimet e veta, janë shpronësuar pronat ju kanë dhënë mjetet për ndërtim të shtëpive, do të thotë ne e kemi urbanizuar aty- kemi pru infrastrukturën, kurse ndërtimi i shtëpive është qasje e banorëve vetë”, thotë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai, si kryetari i Obiliqit, është i gatshëm t’i takojë ata që mund t’u jenë bërë padrejtësi në këtë proces.

“Nëse ka ndonjë banor që nuk ju ka kry [shpronësimi] për naj arsye që ka ngecur i pres unë personalisht”

Banorët ankohen se edhe tokat e tyre të “gëlltitura” nga mihjet sipërfaqësore të thëngjillit që furnizojnë termocentralet Kosova A dhe B janë vlerësuar nën vlerën reale. Por ata më së shumti i brengos rreziku.

“Unë personalisht jam më afër, sepse unë punoj në mihje dhe përafërsisht mundem me ditë rrezikshmërinë ma tepër”, tha Hysni Grajçevci.

Kurse, kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, i cili doli para qytetarëve tha se kërkesat e tyre janë të drejta.

“Është shumë e vërtetë që qytetarëve të Hades, realisht qytetarëve të Obiliqit, është ka u bëhet një padrejtësi e madhe”, tha Gashi, derisa tregoi se është takuar me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit për të zgjidhur problemet e tyre.