Vuçiq Vizitën e Parë e Bën në Sarajevë

Dy javë pasi mori detyrën si kryeministër më 27 prill, Vuçiq do të zhvillojë vizitë njëditëshe në Sarajevë të martën ku ai pritet të takohet me Vjekoslav Bevandën, kreun e Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës dhe me anëtarët e Presidencës së vendit.

Përpara udhëtimit, Vuçiq përmendi tri arsye pse zgjodhi Bosnjën për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit.

“Bosnja është partneri më i madh tregtar i Serbisë, një milion e gjysmë serbë jetojnë atje dhe Serbia dëshiron stabilitet rajonal”, tha Vuçiq.

Nebojsha Radmanoviq, anëtari serb i Presidencësh treanëtarëshe tha përpara vizitës së Vuçiqit se të dy vendet duhet t’i intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike.

“Marrëdhëniet mes Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë janë të rëndësishme, pasi Serbia është partneri ynë i tretë ekonomik”, tha Radmanoviq.

Gjatë vizitës Vuçiq pritet ta vizitojë edhe katedralen ortodokse në Sarajevë dhe t’u drejtohet besimtarëve. Ai gjithashtu do të shkojë edhe në Xhaminë e Gazi Husrev- begut dhe do t’i bie nëpër qendrën e vjetër të qytetit të njohur si “Bashçarshia”.

Analisti Dushan Janjiq tha që Vuçiq kishte të drejtë të zgjedhë një vend të rajonit për vizitën e tij të parë zyrtare.

“Ai tha se Serbia do të respektojë Marrëveshjen e Daytonit dhe do të bashkëpunojë me Sarajevën dhe jo siç ishte rasti deri më tash, kryesisht me Banjallukën”, i tha janjiq radios “Evropa e lirë”.

Ai iu referua lidhjeve të afërta me entitetin e dominuar nga serbët-Republika Srpskës.

Ish-qeverisja e drejtuar nga ish-Partia Demokratike e Serbisë në vitet 2008-2012, kultivoi marrëdhënie të afërta me Republika Srpskan, presidenti i së cilës Millorad Dodik hapur mbështeti liderin demokrat Boris Tadiq në garën presidenciale të Serbisë në majin e vitit 2012.