Mustafa i Bindur për Fitoren e LDK-së

(E plotësuar)

Gjatë ditës, LDK ka mbajtur mbledhje me kryetarët e Degëve së për të diskutuar për listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, tha se degët brenda dy ditëve duhet t’i sjellin propozimet e tyre për kandidatë.

“Ne kemi kërkuar nga kryetarët e degëve që brenda dy ditëve të sjellin kandidaturat e mundshme që ne të kemi kohën e mjaftueshme t’i diskutojmë në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që të vendosim përfundimisht në Këshillin e Përgjithshëm”, tha Shala.

Ai tha se kjo është kjo është pjesë e punëve të cilat kanë filluar pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të 10 shkurtit dhe, sipas tij, degët kanë pasur kohë të mjaftueshme që të mendojnë për kandidatët për kandidaturat e tyre.

Sipas Shalës, përveç kandidaturave që do të jenë nga degët në përputhje me statutin e LDK-së,  në lista do të  përfshihen edhe kandidatura tjera nga jeta publike, shoqëria civile dhe bizneset.

Shala ka thënë se në listën e kandidatëve nuk do të ketë të atillë që janë nën hetime.

“Më 8 qershor ne di t’i vëmë spiralet tona në qeverisjen  e këtij vendi cila do të mundësojë që Kosova për katër vitet e ardhshme t’i shërojë plagët e papunësisë, ngecjes në zhvillimin ekonomik, varfërisë, një arsimi të degraduar për të cilin nuk janë fajtorët as nxënësit, as arsimtarët, por është qeverisja e keqe dhe mbrapshtë e këtij vendi”, tha lideri i LDK-së Isa Mustafa, të premten, gjatë paraqitjes së platformës zgjedhore të partisë së tij.

Sipas Mustafës, nën qeverisjen e LDK-së, kosovarët do të kenë mundësi të shërohen brenda vendit e jo të kërkojnë shërbime shëndetësore në vendet fqinje si në Maqedoni,  Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, dhe Turqi.

“Unë ju garantoj se ne bashkërisht do ta fitojmë. Do të fitojmë më 8 qershor për ta bërë ndryshimin më të madh që i nevojitet këtij vendi”, vijoi Mustafa.

Mustafa shtoi se LDK do të kujdeset që pasuritë natyrore të jenë pasuri të cilat do të shfrytëzohen për ngritjen dhe forcimin e mirëqenies së çdo qytetari dhe që të ardhurat të cilat realizohen nga taksat e qytetarëve tanë të mos shfrytëzohen për promovime individuale.

Ndërsa ekonomisti Bardhyl Meta i cili ka aderuar sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shprehur kritik ndaj kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së tij ndërsa premtoi heqjen e vizave për kosovarët brenda 12 muajsh.

“Me Mustafën kryeministër dhe qeverisjen e LDK-së për 12 muajt e parë do t’i heqim vizat e mallkuara që na kanë vënë në geto”, tha Meta.

I bindur në fitoren e LDK-së, ai ka porositur Thaçin që të përgatitet për të hapur “të pame” për humbjen në zgjedhjet e 8 qershorit.

“Për shtatë vite qeveria Thaçi nuk arriti që mbi bazenin më të madh të thëngjillit në Evropë ta ndërtojë termocentralin modern që do të prodhonte rrymë për tërë regjionin. Ne si Kosovë sot blejmë rrymë nga regjioni me para të buxhetit të Kosovës, duke u bërë të varur dhe të shantazhuar nga fqinjët”, tha Bardhyl Meta.

Ai u shpreh se Kosova duhet të orientohet më shumë nga investimet e shteteve perëndimore.

“Tani kemi investime turke, derisa deri në vitin 2007 kemi pasur investime evropiane. Kampion ka qenë Gjermania, Austria dhe Zvicra”, ka thënë Meta.