Zgjedhjet Mbahen më 8 Qershor

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur 8 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vendimi i sotëm i Jahjagës vjen vetëm një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, të bërë me vetë votën e deputetëve.

“Këto zgjedhje shënojnë një test të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë sonë të brendshme”, tha presidentja Jahjaga në deklaratën e saj për gazetarë duke shpallur ditën e zgjedhjeve.

Ajo u kërkoi partive politike dhe liderëve të tyre që të bëjnë një fushatë “dinjitoze” zgjedhore, ndërsa u bëri thirrje edhe qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Jahjaga kishte filluar konsultimet me liderët e partive politike parlamentare e joparlamentare pak çaste pas shpërbërjes së Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme ajo ka takuar shumicën e drejtuesve të partive, ndërsa takimet i ka vazhduar edhe gjatë paradites së sotme.

Jahjaga u ka thënë liderëve të partive politike se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend duhet të jenë të lira, të drejta, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse dhe se vota e qytetarit të Kosovës duhet të jetë e sigurt dhe e garantuar.

Para shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ e kishte  cilësuar si “sfiduese” periudhën e shkurtër të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve.

Sot ky institucion tha se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që këto zgjedhje të jenë fer dhe të lira.

“Presim nga subjektet politike që ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka në një konferencë për media pak çaste pasi Presidentja Jahjaga bëri të ditur vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 8 qershor.

Ka mbetur megjithatë e pasaktësuar se kur do të nis dhe sa do të zgjasë fushata e subjekteve politike për këto zgjedhje.

“Të gjitha afatet ligjore do të shkurtohen meqë është e pamundshme që fushata të zgjasë siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Valdete Daka.

Ajo u shpreh se vendimi për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore do të vijë pas konsultave me partitë politike për të cilat tha se do të mbahen në ditët në vijim.