Kuvendi Heq Nga Rendi i Ditës FAK-në

Me propozim të Grupit Parlamentar të PDK-së janë hequr nga rendi i ditës të seancës plenare në Kuvend pikat 4 dhe 13 që lidhen me transformimin e FSK-së në FAK.

Pika katër përfshinte amendamentimin e Kushtetutës për të mundësuar shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, ndërsa pika 13 kishte të bënte me miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë më Forca te Armatosura të Kosovës.

Propozimin për heqjen e këtyre dy pikave nga rendi i ditës e bëri Adem Grabovci.

“Kërkoj që të hiqen nga rendi i ditës pika e 4 dhe 13 që kanë të bëjnë me FAK-në [dhe ato] të shqyrtohen nesër”, tha Grabovci.

Propozimi u votua me 83 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se “kurdo që të votohet FAK-ja ne do ta votojmë, nuk kemi asgjë kundër që kjo të votohet nesër”.

Edhe drejtuesi i grupit të deputetëve të AAK-së nuk kishte asgjë kundër që pikat e transformimit të FSK-së të shtyhen për nesër.

“Shpresojmë që nesër të kemi mundësi të votohet”, shtoi Gjini, duke thënë se të hënën [sot] nuk kishte kushte të tilla.

Myzejene Selmani në emër të Grupit Parlamentar të KKR-së tha se për këto dy pika duhet një konsensus mes partive politike dhe minoriteteve.

Një takim i liderëve të subjekteve politike të vendit, pa përfaqësues të “Vetëvendosjes”, u mbajt pa dhënë ndonjë rezultat, mëngjesin e ditës kur ishte paralajmëruar seanca plenare.

Minoritetet kërkojnë të shkëmbejnë votat e tyre për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, me vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvend.

Sipas Planit të Ahtisaarit të integruar në Kushtetutën e Kosovës, komunitetet pakicë kanë privilegjin e vendeve të rezervuara për dy mandate. Mandati i dytë i këtyre vendeve përfundon me këtë përbërje parlamentare.

Visar Ymeri i VV-së tha se shtyrja po ndodh për shkak të shumicës së dyfishtë, të paraparë me planin e ndërmjetësit finlandez.

Vota e dyfishtë me të cilën do të kushtëzohet [transformimi] po paraqet problem që të vendosim për një çështje jetike për vendin”, tha Ymeri.

Transformimi i FSK-së në FAK mund të kalojë vetëm me dy të tretat e votave të deputetëve.

 “Çështja tjetër është se deputetët e pakicës serbe po konsultohen edhe me qeverinë e Serbisë, kjo po i bie se kjo çështje po vendoset nga Serbia. Ne duhet të insistojmë që të mos bëjmë pazare të Forcës së Armatosur me vendet e rezervuara”, shtoi Ymeri.