Kërkohet Sekuestrimi i Pasurisë së Deshishkut

Prokurori Hivzi Bajraktari ka konfirmuar se ka kërkuar nga gjyqi që të sekuestrojë pasurinë e Agim Deshishkut. Po ashtu ai ka kërkuar bllokimin e llogarisë bankare për 10 të dyshuarit. Në mesin e tyre edhe Osmanit e Deshishkut.  

Agim Deshishkut drejtorit të fabrikës së privatizuar “FAN” i është caktuar të premten masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa Naser Osmanit dhe Bahri Shabanit, anëtarë të Bordit të AKP-së u është caktuar masa e paraqitjes në polici.

Paraqitja në polici si masë u është shqiptuar edhe zyrtarëve të Komunës së Podujevës, teksa për të arrestuarit që punonin, ose punojnë në AKP është caktuar masa e arrestit shtëpiak njëmuajsh.

Hamdi Ibrahimi kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë i tha Gazetës Jeta në Kosovë se gjyqtari i çështjes u ka caktuar masat e lartpërmendura të dyshuarve lidhur e rastin e AKP-së.

Policia e Kosovës të mërkurën rreth orës katër pasdite përmes një komunikate zyrtarisht ka konfirmuar arrestimin e 11 personave nga ana e Policisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Sipas policisë, gjatë këtij operacioni janë bastisur (5) pesë lokacione të ndryshme, ndërsa thuhet se hetimet disamujore lidhen me privatizimin e fabrikës “FAN” në komunën e Podujevës. Me ç’rast dyshohet se zyrtarë të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, anëtarë të Bordit Menaxhues të saj dhe punonjës të Kadastrës në Komunën e Podujevës kanë kryer vepra penale. 

Këto vepra sipas policisë dyshohet të jenë kryer në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2012. 

Të ndaluarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim, shkaktim falimentimi dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Dyshohet se dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës lidhur me këtë rast të jetë disamilionësh.