Lënda për Krime Lufte Kthehet në Rigjykim

Pas ankesës së prokurores Merita Bina-Rugova lënda është kthyer në rigjykim.

Vëllezrit Martinoviq akuzohen se në prill 1999 kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile, ndërsa Svetlana Stojanoviq ngarkohet për rrahje të tash të dëmtuarit Haqif Demolli.

Viktimë e të akuzuarve ishte edhe Selatin Beqiri. Për vërtetësinë e deklaratave të tij dhe gjendjen shëndetësore të Beqirit, gjykata e EULEX-it urdhëroi ekspertizë nga tri eksperte mjekësore.

Në seancën e së hënës të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës kryetari  i trupit gjykues Vladimir Mikulla tha se ekspertiza është bërë vetëm nga dy eksperte shëndetësore.

“ Njëra eksperte ka udhëtuar jashtë Evropës” tha Mikulla.

Në gjykatë dëshmuan ato që hartuan ekspertizën, njëra psikologe kosovare e tjetra e EULEX-it. Gjykata u sugjeroi mediave që të mos përmendin emrat e këtyre dëshmitareve.

“Selatin Beqiri, tregon shenja të çrregullimit të stresit postraumatik e kjo ndikon edhe në kujtesë”, tha psikologia nga EULEX-i, kur u pyet për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të viktimës.

Edhe kolegia e saj kosovare tha fjalë të ngjashme.

“Ai po përjeton një ritraumatizim, sepse ka shumë faktor psikologjikë që po ndikojnë që ai ta rikthejë në mendjen e vet përvojën traumatike”, tha psikologja kosovare.

Gjyqtari i pyeti psikologet se a mund të mashtrohen ato nga pacientët e tyre.

“Sikur viktima të na gënjente ne do ta kishim gjetur arsyen pse po na gënjen”, thanë ato.

Avokati Miodrag Bërklaq, mbrojtës i Sllobodan Martinoviqit pyeti psikologet se a është më e besueshme deklarata e dhënë menjëhere pas kryerjes së veprës, apo pas disa vjetësh.

“ Deklarata mund të pësojë ndryshime në kohë dhe mund të jetë pjesë e harresës, por konturat e origjinales nuk humbin”, tha psikologia kosovare.

Për harresën pyeti edhe Zhivojin Jokanoviq, avokati i Svetllana Stojanoviqit.

”Është e vërtetë se me kalimin e kohës mund të zbehet memoria, por te disa persona mund të shfaqet edhe më e rëndë sesa në momentin e përjetimit”, iu përgjigj edhe atij ekspertja kosovare e shëndetësisë.

Më pas ekspertet u pyetën nga avokatët se çfarë metoda të ekspertizës kanë përdorur për të ekzaminuar Selatin Beqirin.

“Ne kemi përdorur observimin klinik, intervistën klinike dhe testin e personalitetit MMP1”, thanë dëshmitaret.

Dejan Vasiq, mbrojtësi i Sreçko Martinoviqit e kontestoi ekspertizën. Tha se ajo nuk është bërë në mënyrë profesionale, ndërsa kërkoi që t’i përshkruhet gjuha trupore e të dëmtuarit Selatin Beqiri.

“ Ka pas kontakt direkt në sy, ka qenë i hapur dhe ka thënë ‘a po më dëgjoni a po më kuptoni’, tha psikologia nga EULEX-i.

Të dy ekspertet treguan se Selatin Beqiri është person konsekuent dhe me integritet, ndërsa shtuan se ai nuk ka qëllim hakmarrjen por synon drejtësinë për të keqen që i ka ndodhur.

Aktakuza e prokurores Bina-Rugova shpjegon se vëllezërit Martinoviq në prill të vitit 1999 “me pjesëtarë të ushtrisë dhe njësive paramilitare në mes tjerash edhe Sinisha Filiqin,Srxhan Trajkoviqin,Ivan Periqin,Dragan Trajkoviqin, Sreten Trajkoviqin dhe Novica Pavleviqin në mënyrë jonjerëzore janë sjellë ndaj Selatin Beqirit dhe Haqif Demollit, duke ua dëmtuar integritetin fizik,duke i mbajtur në burgje në kushte jonjerëzore(pa pastërti, pa ushqim, pa ujë dhe pa barna)”

Ndërsa e akuzuara Svetlana Stojanoviq akuzohet që me datën 21 prill 1999 e ka rrahur në mënyrë të përsëritur me dru, tani të dëmtuarin Haqif Demolli dhe ia ka dëmtuar integritetin fizik.

Seanca e radhës mbahet me 2 qershor 2014 , në orën 13:00.